Raporti i Standard and Poors: Ekonomia shqiptare ndër 15 më të rrezikuarat në botë

Shqipëria

Raporti i Standard and Poors: Ekonomia shqiptare ndër 15 më të rrezikuarat në botë

Më: 1 prill 2020 Në ora: 11:28
Ilustrim

Ekonomia shqiptare është ndër 15 ekonomitë më të rrezikuara në botë!

Sipas raportit të Standard and Poors, vendi jonë rrezikon të jetë një nga 15 vendet me rrezikun më të lartë për ekonominë për shkak të pandemisë së COVID-19.

Kështu thotë ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila deklaron se prej kohësh PD ka shprehur shqetësimin e evidentuar në këtë raport, se ekonomia jonë është më e rrezikuara në të gjithë rajonin.

Sipas saj, Shqipëria është një nga 20 vendet më të rrezikuara edhe në lidhje me mungesën e të ardhurave për qytetarët e Shqipërisë dhe se kjo mungesë të ardhurash nëse nuk veprohet nga qeveria menjëherë do të godasë shumë rëndë qindra mijë familje shqiptare.

Tabaku deklaron se ekonomia e brishtë rrezikon shumë nga kjo krizë edhe sepse shqiptarët dhe mbi të gjitha shtresa e mesme që ka mbajtur peshën e taksave të larta, bizneset e vogla që mbajnë mbi 200 mijë familje pak mbi kufirin e varfërisë po goditen rëndë nga masat e marra prej pandemisë.

“Konsumi i qytetarëve ka rënë, investimi i bizneseve për të zgjeruar biznesin e tyre ka rënë. Pagat janë të ulëta ndërsa kostoja e jetesës është rritur. Nëse qeveria nuk ndërhyn sot për të shpalosur një plan ekonomik serioz në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë, shqiptarët do ta vuajnë më gjatë se gjithë rajoni krizën ekonomike. Shuma qesharake prej 14 milionë lekësh vetëm për një të tretën e bizneseve të vogla është e pamjaftueshme”, shkruan Tabaku.

Në këtë drejtim ngre katër pyetje për qeverinë për të cilat tha se mungon përgjigja:

– Çfarë do të bëhet me të paktën 35 mijë biznese të vogla me xhiro deri në 140 milionë lekë që nuk përfitojnë nga paketa e ndihmës?

– Çfarë do të bëhet me dhjetëra mijëra të papunë, që nuk janë pjesë e skemës së papunësisë? Me çfarë do të ushqehen ata?

– Çfarë do të bëhet me rreth 70 mijë familje qe i kanë hequr padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike dhe nuk janë përfitues të skemës së Qeverisë? Kush do të kujdeset për ta?

– Çfarë do të bëhet me mijëra ambulantët që nuk janë përfshirë fare në vendimin gjysmak të qeverisë? Si do të ushqehen ata, kur qeveria ka ndaluar aktivitetin e tyre?

Tabaku shtoi se për këto shtresa qeveria dhe buxheti saj nuk ka përgjigje dhe nuk ka buxhetuar asgjë për këto shtresa vulnerabël dhe për pjesën më të madhe të punësuarve edhe bizneseve.

“Qeveria që vetëm këtë vit do t’i japë 120 milionë euro koncesioneve të oligarkëve ka disbursuar vetëm 40 milionë euro për qytetarët e këtij vendi. Qeveria duhet të të ndalë menjëherë çdo tender e koncesion që sot po gërryen buxhetin e shtetit, dhe të vendosë në dispozicion të familjeve shqiptare, të vetëpunësuarve, të pensionistëve dhe te familjeve në nevoja të gjitha burimet e nevojshme nga buxheti si dhe të përdorë lehtësimet fiskale që Partia Demokratike ka propozuar për ti dhënë frymëmarrje ekonomisë”, thotë ndr të tjera Tabaku. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat