Paloka shpërthen ndaj kryeministrit: Mashtrues, qytetarët kanë marrë zero lekë dhe janë në luftë për mbijetesë

Shqipëria

Paloka shpërthen ndaj kryeministrit: Mashtrues, qytetarët kanë marrë zero lekë dhe janë në luftë për mbijetesë

Më: 4 prill 2020 Në ora: 18:54
Edi Paloka

Partia Demokratike vijon të përdorë situatën në të cilën ndodhet vendi për shkak të koronavirusit për të sulmuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Përmes një statusi në rrjetet sociale, nënkryetari i PD, Edi Paloka ka akuzuar kryeministrin Rama se është një mashtrues serial, ndërsa ka zbuluar se paga e luftës që u premtua me aq ngulm nga qeveria që do ta merrnin qytetarët që nuk kanë shkuar në punë për shkak të karantinimit nuk është dhënë.

Sipas tij, edhe pse sot është data 4 Prill, rreth një muaj nga fillimi i krizës në Shqipëri qeveria nuk ka shpërndarë asnjë lek. “Edi Rama është kapur në gënjeshtër dhe nuk ka as kurajon më të vogël qytetare të kërkojë ndjesë. U premtoi shqiptarëve në 17 Mars 2020 se askush nuk do të ngelet pa marrë pagën e Marsit dhe mashtroi. Mijëra qytetarë nuk kanë arritur të marrin pagën e muajit Mars dhe janë sot në luftë për mbijetesë. Edhe pse sot është data 4 Prill, rreth një muaj nga fillimi i krizës në Shqipëri, Qeveria nuk ka shpërndarë asnjë lek. Ndërkohë që, dalin e gënjejnë nëpër media çdo ditë, zero të vetëpunësuar kanë marrë pagesë, zero biznese kanë marrë mbështetje, zero familje në nevojë kanë marrë ndihmën ekonomike të premtuar dhe zero të papunë kanë marrë pagesën e premtuar. Kjo nuk është kohë për gënjeshtra. Kjo nuk është kohë për propagandë. Vepro tani: Anulo koncesionet dhe ndihmo shqiptarët”, shkruan Paloka në rrjetet sociale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat