"Rama ik", tensionohet situata në Kapshticë, emigrantët i bllokojnë rrugën kamionëve me mallra

Shqipëria

"Rama ik", tensionohet situata në Kapshticë, emigrantët i bllokojnë rrugën kamionëve me mallra

Më: 5 prill 2020 Në ora: 19:33
Pamje nga vendi i ngjarjes

Prej tre ditësh një grup emigrantësh janë bllokuar në pikën kufitare të Kapshticës, në pritje për të hyrë në territorin shqiptare.

Gazetari i Ora News, Artin Halili raporton se rreth 60 emigrantë, mes tyre fëmijë, gra dhe të moshuar ndodhen në tokën neutrale dhe nuk lejohet të hyjnë në territorin shqiptar.

Sipas gazetarit, mes policisë kufitare dhe emigrantëve të bllokuar ka pasur edhe përplasje, pasi këta të fundit kanë bllokuar rrugën për kalimin e kamionëve me mallra.

Situata bëhet edhe më e vështirë, pasi rezervat ushqimore i kanë mbaruar, ndërsa sot një polic grek iu ka treguar një çezmë ku mund të mbushin ujë.

Ndërkohë ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga ana e autoriteteve shqiptare.

Gazetari Halili thotë se nga komunikimet me policinë kufitare është konfirmuar se mund të kalojnë vetëm personat që kanë një vërtetim nga ana e konsullatës shqiptare në Greqi, që mund të jetë për arsye shëndetësore apo për arsye studimesh.

Indinjatën e tyre emigrantët e kanë shprehur duke thirrur "Rama ik", ndërsa mësohet se tre prej tyre jane shoqëruar në polici.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat