“Numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri, më i madh nga ai që raportohet”

Shqipëria

“Numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri, më i madh nga ai që raportohet”

Më: 9 prill 2020 Në ora: 11:04
Ilustrim

Epidemiologu shqiptar Taulant Muka, drejtues i një instituti kërkimor në Zvicër, thotë se numri i personave që kanë humbur jetën në Shqipëri nga koronavirusi është më i madh se ai që raportohet nga autoritetet.

“Numri i personave në Shqipëri që kanë vdekur nga koronavirusi është më i madh se ai që raportohet. Ka shumë të moshuar në rrethe që vdesin pa u diagnostikuar fare”, tha Muka në intervistë me CNN Tiranë.

Muka tha se shifrat që jep qeveria nuk janë të besueshme dhe evidentoi një fakt që forcon këtë bindje: “Nga njëra anë qeveria thotë që po ia dalim, nga ana tjetër po ndryshojnë Kodin Penal për ata që shkelin rregullat. Këto nuk shkojnë dhe tregojnë qartë që realiteti është ndryshe nga ai që flitet”.

“Qeveria ka menduar vetëm izolimin për të ndaluar infeksionin. Po vazhduam me këtë strategji do të rritet obeziteti, konsumi i alkoolit duke çuar në probleme të tjera shëndetësore, pa përmenduar probleme të shëndetit mendor. Gjithashtu, do të rritet papunësia te të rinjtë”, shtoi Muka.

Ai nënvizon se një vend i vogël si i yni, mund të dalë nga kjo situatë “duke rritur testimet dhe kapacitetet gjurmuese”.

“Nuk kemi popullsinë e Italisë apo Gjermanisë që e kanë të vështirë ta bëjnë këtë”, u shpreh Muka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat