Malaj ngre shqetësimin për ekonominë dhe tregon çfarë masash duhet të merren nëse pandemia shuhet këtë muaj

Shqipëria

Malaj ngre shqetësimin për ekonominë dhe tregon çfarë masash duhet të merren nëse pandemia shuhet këtë muaj

Më: 9 prill 2020 Në ora: 18:02
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj në një intervistë për RTV Ora, shprehet se qeveria duhet të sigurojë grante në mënyrë që ekonomia të mbahet me këtë strukturë që kemi, pavarësisht situatës së rënduar nga Covid-19.

‘Fondet sociale duhet të kenë shpejtësi maksimale për të mbërritur deri tek përfituesi i fundit, që dhe ata ta marrin sa më shpejt paranë, por edhe paranë të harxhojnë sa më shpejt që të krijohet. Për biznesin individual, familjar, biznesin e vogël, 90% e ndërmarrjeve në Shqipëri kanë më pak se tre punonjës dhe janë pikërisht këto vende pune që nuk duhet të rrezikohen. Duhet të ketë instrumente, grante, kredi të buta në mënyrë që ta mbajnë ekonominë me këtë strukturë që kemi tani. Ndoshta pas krizës edhe vetë biznesi do të shikojë modelet e ristrukturimit që të jetë më i mbrojtur. Nuk është faji i biznesit kjo situatë e krijuar nga një pandemi’, tha Malaj.

Më tej, ai shtoi se nëse pandemia mbyllet brenda këtij muaji qeveria duhet të ketë një paketë stimuluese për turizmin, si një nga sektorët që dëmton më shumë ekonominë.

‘Nëse periudha e mbylljes së pandemisë mbyllet brenda këtij muaji, qeveria pastaj do të ketë një paketë të jashtëzakonshme stimuluese për turizmin. Ky sektor që dëmton me shumë ekonominë bashkë me bujqësinë që prodhon të mund të kenë incentiva lehtësuese që të futen në qarkullim ekonomik dhe ekonomia shqiptare ta menaxhojë krizën pa e lënë atë të shkojë deri në fund, por duke e ndërprerë ciklin pozitivisht me këto ndërhyrjet më shumë burokratike. Nuk duhet të ketë më burokraci në këtë periudhë për asnjë dëshmi, për asnjë dokument nga shteti’, përfundoi Malaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat