“Haçiko” i të ndjerit Skënder Kurtit/ Historia e vërtetë e Kuqit, fqinji i tij tregon detajet

Shqipëria

“Haçiko” i të ndjerit Skënder Kurtit/ Historia e vërtetë e Kuqit, fqinji i tij tregon detajet

Më: 21 prill 2020 Në ora: 17:22
Skënder Kurti

Në studion e emisionit “Shqipëria Live” drejtuar nga dyshja e moderatorëve Flori Gjini dhe Erjona Rusi, ishte i ftuar me anë të një lidhje direkte Murat Berisha.

Murat Berisha, është mik dhe fqinj me Skënder Kurtin, ish-boksierin që u nda nga jeta disa ditë më parë, si pasojë e koronavirusit. Mirëpo, një postim në rrjete sociale, Murati ia dedikoi qenit të Skënderit, Kuqit.

Kuqi, çdo ditë qëndron pranë banesës së të ndjerit dhe ende shpreson që ai të dalë prej aty. Po ashtu, konfirmon Berisha, Kuqi shkon në të gjithë lokalet që frekuentonte profesori. Kjo histori, të kujton fabulën e filmit “Haçiko”, ku qeni me të njëjtin emër, priste çdo ditë në stacionin e trenit, të zotin e tij, i cili kishte ndërruar jetë pasi kishte pësuar hemoragji cerebrale.

“Nuk është e lehtë të flasësh për Ner Kurtin, por ne e shohim të paktën përditë Kuqin nëpër këtë vend. Lëviz çdo ditë në vendet ku ka pas shkuar Neri. Ai madje ka shkuar dhe në palestrën ku shkonte Neri. Ishte një lidhje shumë e fortë. Neri e kishte gjetur të vogël Kuqin dhe s’kishte vend për ta mbajtur në apartament. Por ai ishte qeni Ner Kurtit dhe ishte besnik karshi Nerit. Në momentin që uleshim këtu vinte Neri (tregon me dore një lokal aty pranë) dhe Kuqi iu afronte këmbët. Çdo natë këtu qëndron dhe shikon nga apartamenti i profesor Nerit. Të gjithë e kishim merak këtë gjë, Kuqi ishte qeni i të gjithëve. Kuqi atë shpreson që është në një nga ato ikjet e gjata dhe pret që ai të rikthehet (I referohet turneve nëpër botë që bënte profesor Skënderi, me boksierët që trajnonte). Në të gjitha lokalet e lagjes ku Neri frekuentonte Kuqi i frekuenton përditë dhe pret për të vijë Neri. Gjëja që më ka prekur. E para e ndiej detyrim moral karshi mikut tim, Ner Kurtit. Neri ndërtoi shumë kampionë ndërkombëtarë apo djem që përfaqësojnë vende të tjera dhe këtu ka dorë Ner Kurti. Besnikëria që shpeshherë shfaqin kafshët është më e madhe se ajo që kanë njerëzit”, u shpreh Murat Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat