Si të frenojmë dhunën? Psikologu Edmond Dragoti jep këshilla të vyera

Shqipëria

Si të frenojmë dhunën? Psikologu Edmond Dragoti jep këshilla të vyera

Më: 29 prill 2020 Në ora: 21:31
Edmond Dragoti

Krahas lirimit të masave, në Shqipëri për fat të keq janë shtuar edhe veprimet agresive, ku nuk kanë munguar konfliktet me armë zjarri, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e disa personave në Lezhë, Vlorë dhe Durrës. Psikologu i njohur, Edmond Dragoti ishte i ftuar në emisionin “Ilva Now” në Euronews Albania, ndërsa foli për këtë fenomen shoqëror dhe arsyet reale, të cilat prodhojnë këto skena të dhunshme. Sipas tij, agresiviteti i personave gjatë kësaj periudhe mund të ketë lidhje me disa faktorë, ndërsa ato i shpjegoi si vijon:

“Natyrisht se me karantinën ka një lidhje të caktuar, sepse sa më shumë zgjat karantina apo izolimi social ,presioni ndaj çdo individi rritet vazhdimisht, sepse çdonjëri prej nesh ka të zhvilluar nevojën për shoqëri. Nevoja por shoqëri kushtëzohet nga nevoja biologjike, pra, është nevoja e lindur. Së dyti, situata dhe frika nga virusi, infeksioni dhe pasiguria edhe këto kushtëzojnë nevojë për të dalë nga izolimi social. Së treti, nevoja për shoqëri është veçori e personalitetit. Si të tillë, ata (disa tipe personash) e kanë nevojën më të shtuar se të tjerët, ku presioni shpesh konvertohet nga emocione të zhvilluara në skaje. Ka një lloj polarizimi të emocioneve negative”, tha ai.

Gjithashtu psikologu Dragoti dha këshilla të vyera për shikuesit dhe lexuesit e Euronews Albaina. Ai i ftoi ata që të përshtaten me mënyrën e re të jetesës, e cila duket që është imponuar nga karantina që vijon të jetë prezente për më shumë një muaj.

“Momentet e para ishte momenti më i vështirë, sepse njerëzit duhet të përshtaten me një mënyrë të re jetese. Kur mungojnë disa elementë, presioni dhe ankthi, deri tek depresioni janë të pranishme. Secili prej nesh duhet të jetë në gjendje të riorganizohet dhe të ndërtojë një mënyrë përshtatjeje të re ndaj realiteti. Humori dhe optimizmi janë shumë të rëndësishëm që t’i zhvillojmë tek vetja. Frika është një presion jo vetëm pozitiv që të ruan, por nga ana tjetër ajo gjeneron emocionet negative dhe rrit agresivitetin dhe konfliktet”, tha ai.

Por si do të sillen njerëzit pasi të dalin nga karantina, për këtë dilemë psikologu Dragoti dhe këtë shpjegim të shkurtër, por shumë esencial: "Do jetë një periudhë jo e lehtë, ne do të reflektojmë disa ndryshime tek vetja, si në gjendja e higjienës, por edhe tek takimet sociale. Do të kemi një lloj ndryshimi të natyrshëm, por me kalimin e kohës do të largohet. Duhet të ruhemi nga rreziqe që varen thjesht nga ne”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat