Meta: Kufizimet dhe presionet, shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë

Shqipëria

Meta: Kufizimet dhe presionet, shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë

Më: 3 maj 2020 Në ora: 13:08
Ilir Meta

Në Ditën Botërore të Lirisë së Medias, Presidenti Ilir Meta ka ngritur alarmin se ndarja preferenciale e reklamave publike, financimet jotransparente të bizneseve private, kufizimet dhe presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, janë bërë shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë.

Referuar organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve, Presidenti Ilir Meta thotë se Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen sot lirinë e medias në Shqipëri të përkeqësuar në krahasim me disa vite më parë.

Reagimi i Presidentit Ilir Meta:

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e gjen sot lirinë e medias në Shqipëri të përkeqësuar në krahasim me disa vite më parë, sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve.

Ndarja preferenciale e reklamave publike, financimet jotransparente të bizneseve private, kufizimet dhe presionet e drejtpërdrejta apo të tërthorta, janë bërë shkak që të kemi më pak gazeta se një vit më parë.

Pasojat e paralajmëruara të paketës anti-kushtetuese të ligjeve “anti-shpifje”, si dhe krizat e njëpasnjëshme të tërmetit dhe COVID-19, po e thellojnë regresin, duke i detyruar botuesit aktualë të bëjnë përpjekje të sforcuara për të mbajtur ende në treg median në print, që po rrezikohet seriozisht.

Gazetarët vetë raportojnë se kushtet e tyre të punës, informaliteti, çensura dhe autoçensuara janë në nivele të papranueshme.

Liria e medias është tregues për gjendjen e demokracisë dhe kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut. Veçanërisht mbrojtja e lirisë së shprehjes në kohë pandemie, siç thekson edhe Këshilli i Europës, ka një rëndësi jetike.

Duke ndarë të njëjtat shqetësime me organizatat botërore të gazetarëve dhe duke shprehur solidaritetin tim me të gjithë komunitetin e medias në vendin tonë, që duhet ndihmuar seriozisht në këto momente të vështira që po kalojmë, nxis dhe inkurajoj gazetarinë e lirë e të pavarur që pyet, kërkon përgjigje, investigon dhe flet në emër të opinionit publik, që mbron dhe është zëdhënëse vetëm e interesave të tij.

Për Shqipërinë, aspirante për anëtare në Bashkimin Europian, regresi në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias është i papranueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat