Matje temperature, çadra me 3.5 metra distancë! Si po përgatiten për pushuesit hotelet në Durrës

Shqipëria

Matje temperature, çadra me 3.5 metra distancë! Si po përgatiten për pushuesit hotelet në Durrës

Më: 15 maj 2020 Në ora: 23:22
Matje temperature

Në një lidhje direkte me emisionin “Rudina” në Tv Klan, menaxherja e një hoteli në zonën e Durrësit shpjegoi protokollin e masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, i cili pritet të nisë së shpejti.

“Gjithçka fillon nga informimi i stafit, nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme, ditë pas dite për masat kundër Covid-19, gjithashtu edhe për klientët nëpërmjet vendosjes së sinjalistikës së duhur, e cila konsiston në vendosjen edhe të një xhami tek recepsioni dhe të sinjalistikave në tokë për të mbajtur distancën 2 metra nga njëri-tjetri. Në ambientet e hotelit do të vendosen po ashtu edhe postera për të kërkuar respektimin e rregullave dhe masave të distancimit social. Pastaj kemi kontrollin e temperaturës. Do të bëhet çdo ditë për të gjithë personat që kanë akses në hotel, përfshirë edhe stafin. Stafi do të mbajë doreza dhe maskë gjatë të gjithë orarit të punës, gjithashtu edhe klientët do të përdorin maska dhe doreza në ambientet e përbashkëta me të tjerët.”

Katerina Quku, shpjegoi se çadrat do të vendosen në një largësi prej 3,5 metrash nga njëri-tjetri.

“Në këtë sezon do t’i japim më shumë prioritet shërbimit në dhomë të ushqimit. Edhe në rastin që do të përdoret shërbimi në bar dhe restorant, do të bëhet dezinfektimi pas çdo klienti dhe do të sigurohemi që të vendosen sa më pak sende në tavolinë që të jetë e mundur. Shërbimi bufe do të evitohet.”

Quku shpjegoi se një person do të jetë i ngarkuar për mbikëqyrjen e respektimit të masave të distancimit social. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat