​BDI: Pakoja e tretë e masave ekonomike arrin vlerën 355 milionë euro

Shqipëria

​BDI: Pakoja e tretë e masave ekonomike arrin vlerën 355 milionë euro

Më: 17 maj 2020 Në ora: 18:31
BDI

Ministri i Ekonomisë nga radhët e BDI-së Kreshnik Bekteshi në konferencën e përbashkët për shtyp në selinë e BDI-së u shpreh se pakoja e tretë ekonomike e miratuar nga Qeveria e Maqedonisë së

Veriut parasheh mbështetje direkte për ekonominë e vendit dhe rimëkëmbjen e saj pas periudhës së pandemisë COVID 19.

Pakoja e tretë masave ekonomike sipas ministrit Bekteshi arrin vlerën prej 355 milionë euro dhe me këtë masë përfshihen mbi 730 mijë shfrytëzues.

“Shtylla e parë sa i përket stimulimit të konsumit privat, kemi paraparë masë ku do të kompensojnë apo do të ndihmohen mbi 100 familje në Maqedoninë e Veriut, kryesisht familje të cilat nuk kanë persona të punësuar dhe për ato do të sigurohet një kartelë pagesore prej 9000 denarësh. Sa i përket masës së dytë, mbështetjes së turizmit vendor, por njëkohësisht edhe stimulimit të konsumit privat nga ana e qytetarëve kryesisht në sektorë, të cilët kanë qenë më shumë të goditura siç është gastronomia dhe hoteleria është paraparë vauçer për mbi 100 mijë të punësuar me të ardhura të ulëta dhe atë 6.000 denarë për shpenzime që do të kenë në objekte akomodimi, por njëkohësisht edhe 3.000 denarë që do të mund t’i shfrytëzojnë gjatë pushimeve vjetore”, tha ministri Bekteshi.

Sa i përket masës së tretë me stimulimin e konsumit, sipas ministrit Bekteshi, është paraparë që të ketë një vikend ku TVSH-ja do të zvogëlohej në mënyrë të konsiderueshme.

“Drejtpërdrejt do të ndikojmë në rritjen e shitjes, por njëkohësisht edhe do të lehtësojmë që qytetarët të blejnë sa më lirë, andaj kemi paraparë masë konkrete një vikend të tërë pra TVSH-ja do të zvogëlohet në mënyrë të konsiderueshme, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të kryejnë shërbimet e tyre”, tha ai.

Një nga shtyllat kryesore me prioritet mbetet sektori i bujqësisë dhe me këtë pako parashihet përkrahje direkte për rritjen e konkurrencës në sektorin e bujqësisë dhe për bujqit.

Ministri pa resor për investime nga BDI Hisen Xhemaili tha se me këtë masë parashihet përkrahje e sektorit agrar nëpërmjet bankës për zhvillim në vlerë totale 5 milionë euro.

“50 mijë bujq do të pranojnë kartela pagesore me subvencione për derivate të naftës. Pas subvencionimit prej 30% të vitit të kaluar për harxhimet e naftës, këtë vit subvencionet rriten në 50%. Me këtë masë vlera totale pritet të jetë rreth 4.6 milionë euro. Do të ketë mbështetje për ristrukturim të prodhimit të produkteve të reja në përpunimin e rrushit. Vlera do të jetë rreth 3.5 milionë euro. Mundësimi i bashkëpunimit të sektorit publik dhe atij privat, duke modeluar partneritete publiko private në sektorin e duhanit dhe vreshtarisë. Reformë me qëllim të përdorimit më efikas të kullotave. Me këtë masë mundësohet dhënia e kullotave me qira afatgjate me çka blegtorët do të kenë në shërbim përafërsisht 500.000 hektarë kullota për bagëtitë”, tha ministri Xhemaili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat