Rama: Kryeministri është në panik, s’do ketë kohë as të pastrojë fushën e teatrit

Shqipëria

Rama: Kryeministri është në panik, s’do ketë kohë as të pastrojë fushën e teatrit

Më: 21 maj 2020 Në ora: 21:33
Luan Rama

Për ish-ministrin e Brendshëm, Luan Rama, kreu i qeverisë me fjalimin e mbajtur sot në Parlament po përpiqet që të fshehë thelbin e problemit që ka të bëjë me çështjen e Teatrit Kombëtar. Në një intervistë për Euronews Albania, ai tha se, Edi Rama qëllimisht krijon “vatra tensioni për të tërhequr vëmendje” dhe sipas tij në të vërtetë kryeministri është në panik.

“Ai vetëm sa shfaq dëshpërimisht gjendje e tij të përfshirë prej panikut që ka të bëjë me thelbin e gjësë. Edi Rama nuk do të ketë kohë as të pastrojë fushën, jo me Fushën, por atë fushë që do të krijojë te ish-godina e Teatrit Kombëtar por as do të ketë kohë të bëjë projektin e tij, të ashtuquajturës godinë për fëmijët”, deklaroi z. Rama.

I pyetur nga gazetarja Bruna Çifligu lidhur me propozimin e hedhur në tryezën e reformës zgjedhore nga Ambasada Amerikane në Tiranë, për miratimin e një sistemi danez zgjedhor, Sekretari i Përgjithshëm i LSI tha se problemi nuk është te sistemi, por zbatueshmëria.

“Për LSI as ka qenë dhe as është ndonjëherë problemi te sistemi. Problemi i shoqërisë shqiptare nuk është problem ndryshimi i sistemit zgjedhor. As sistemi daneze nuk e zgjidh këtë problem nëse nuk zbatohet rekomandimi i BE për të ndëshkuar të gjithë ata që janë implikuar në vjedhjen e zgjedhjeve”, deklaroi zyrtari i LSI.

Sipas Luan Ramës, kreu i mazhorancës po punon kundër arritjes së një konsensusi në tryezën për reformën zgjedhore, pasi tha se, “nga një anë thotë hajde ulemi dhe nga ana tjetër të pështyn, të fyen dhe e bën të pamundur arritjen e konsensusit”. Ndaj shtoi ai, z. Rama duhet “të aktivizojë sistemin e frenimit, që e bën të dallueshëm individin njeri nga çdo individ frymor tjetër”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat