Sa shqiptarë hynë dhe dolën nga vendi gjatë periudhës së izolimit

Shqipëria

Sa shqiptarë hynë dhe dolën nga vendi gjatë periudhës së izolimit

Më: 22 maj 2020 Në ora: 20:11
Foto ilustrim

ë dhënat e fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se gjatë muajit prill lëvizjet hyrëse dhe dalëse në kufijtë e Shqipërisë u kufizuan me 97.1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Mbyllja e kufijve për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe anulimi i fluturimeve ndërkombëtare ishin faktorët që ndikuan më tepër.

Sidoqoftë gjatë muajit prill 25,257 persona hynë në Shqipëri – 2.8 për qind e lëvizjeve krahasuar me një viti më parë. Diçka më pak se gjysma e tyre ishin shqiptarë – 12,188 persona.

Kjo lëvizje mund të shpjegohet me fazën e dytë të riatdhesimit që nisi të aplikojë qeveria duke u lejuar kthimin shqiptarëve që kishin mbetur jashtë shtetit përpara vendosjes së shtetrrethimit.

Vlen të thuhet se të dhënat e katër muajve të parë të vitit 2020 janë sa gjysma e katërmujorit të një viti më parë.

Shtetet kryesore nga erdhën personat që hynë në Shqipëri gjatë muajit prill janë, Kosova, Maqedonia e Veriut, Polonia dhe Greqia, ku biznesi dhe arsyet profesionale zënë shkakun kryesor të lëvizjes.

Kufiri tokësor mbajti ngarkesën më të madhe (77%) të hyrjeve me 19,500 persona, pasuar nga deti dhe ajri.

Por njëkohësisht gjatë muajit prill rreth 24 mijë persona dolën nga Shqipëria. Shifër kjo rreth 97% më e ulët krahasuar me vitin 2019-të.

Sipas INSTAT, gjatë muajit prill dolën nga Shqipëria 10,638 shqiptarë dhe 13,287 të huaj – totali 23,925 persona.

Ndryshe nga hyrjet, pjesa dërrmuese e daljeve nga Shqipëria u kryen përmes kufijve tokësore, pasi fluturimet qenë pezulluar.

Kështu gjatë muajit prill 20,027 persona lëvizën nga Shqipëria përmes doganave tokësore, ndërsa vetëm 16 për qind dolën përmes fluturimeve apo linjave detare.

Më 15 mars, qeveria njoftoi mbylljen e kufijve tokësor për udhëtarët dhe lejoi vetëm transportin e mallrave. Ky vendim u ndoq më pas me anulimin e fluturimeve.

Megjithatë përgjatë javëve që pasuan shtetet ndërmorën misione riatdhesimi për personat e mbetur në vende të huaja. Kjo u bë përmes fluturimeve të organizuara.

Në këto nisma u përfshi edhe Shqipëria, ku shumë shtetas të huaj u larguan nga vendi ndërsa shumë shqiptarë u lejuan të ktheheshin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat