Lulzim Basha: Arrestoni Edi Ramën, duhet të shkojë në burg!

Shqipëria

Lulzim Basha: Arrestoni Edi Ramën, duhet të shkojë në burg!

Më: 23 maj 2020 Në ora: 07:39
Edi Rama

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se Edi Rama duhet të ndëshkohet për abuzimet e shumta sipas tij që ka bërë në shtatë vjet qeverisje dhe duhet të shkojë në burg bashkë me shumë zyrtarë të tjerë, përfshirë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Për më tepër, z.Basha thotë se angazhohet personalisht që kjo të ndodhë.

Sipas tij, bashkë me popullin, "jo vetëm ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo tirani, por edhe ta ndëshkojmë Edi Ramën. Pa ndëshkuar Edi Ramën e keqja do të përsëritet. Pa e ndëshkuar Erion Veliajn e keqja do të përsëritet. Pa i ndëshkuar shërbëtorët e Edi Ramës dhe Erion Veliajt e keqja do të përsëritet. Prandaj, në qoftë se ka një zotim të hershëm por që ia vlen ta rikthejmë në vëmendje të opozitës me rastin e krimit barbar tek Teatri Kombëtar është që të gjitha këto krime do të ndëshkohen. Ky është zotimi im sot si kryetar i opozitës dhe detyra ime e parë nesër si kryeministër", – tha z.Basha në një intervistë sonte në Abc News.

Sipas Bashës, Rama është duke bllokuar qëllimisht procesin e integrimit, pasi i druhet pikërisht burgut, duke iu referuar rasteve të vendeve të tjera të Europës të cilat pasi hynë në BE, zyrtarë të lartë të tyre si në Kroaci, përfunduan në qeli. "Ecja përpara e procesit të integrimit, në qoftë se ndodh siç ka ndodhur le të themi në Kroaci apo vende të tjera, edhe zullumqarë shumë të vegjël i ka parë para drejtësisë dhe prapa hekurave, e jo më Edi Ramën", – tha z.Basha.

Pjesë nga intervista

Lulzim Basha: Strategjia e tensionit e Edi Ramës ka për qëllim që të zhvendosë vëmendjen e njerëzve, në veçanti të medias, çka ia ka arritur këtë javë me sukses të plotë, le të themi që propaganda e tij ka funksionuar, nga e përditshmja e shqiptarëve, nga mungesa e bukës në tavolinat e tyre, nga shkatërrimi i vendeve të punës, nga mbyllja e bizneseve, nga shkatërrimi total i bujqësisë shqiptare që ishte në prag të falimentit, nga nxjerrja e 50 për qind e popullsisë që ishte në nivelet e varfërisë, në nivelet e mjerimit absolut, ndërkohë ajo që ne themi shtresë e mesme që mund të marrë një 500 mijë lekësh rrogë, burrë e grua secili, i bashkohen shtresës së varfër sepse kanë dy muaj që nuk marrin asgjë. Sot është data 22 maj, për 9 ditë vjen fundi i muajit. Çfarë do të ketë në qershor, se paketat mbaruan. Maqedonia e solli paketën e tretë, ky nuk ka paketë. Ky shkatërron teatrin për të vjedhur tokë. Pra e gjithë vëmendja e njerëzve në mënyrë të përditshme është se si do t’ia bëjnë për nesër, pasiguria për nesër, pasiguria për punën, pasiguria për bukën. Dhe pa diskutim që kjo sjell një frustrim të madh, sjell një situatë jashtëzakonisht të rëndë për vendin dhe jashtëzakonisht kritike për vendin, aq më shumë që ndodh jo në një vend normal ku qeveria po bën maksimumin por nuk ia del dot, por në një vend ku Edi Rama me një grusht njerëzish vazhdojnë të vjedhin taksat e tyre.

Pyetje: Në 17 maj ju e kujtuat vetë 3 vjetorin e marrëveshjes me Ramën dhe thatë nuk do të ketë më kurrë. Në fakt ka spekulime që thonë se e gjitha është një lojë mes jush, e gjithë edhe kjo situatë politike, në mënyrë që të ketë një marrëveshje mes jush. Në fund mund të jetë edhe një qeveri me bazë të gjerë, mund të jeni sërish ju të dy duke i ngrënë të gjitha partitë e vogla. Ka një marrëveshje mes jush dhe Ramës?

Lulzim Basha: I vetmi i interesuar për t’i shpërndarë këto është vetë Edi Rama dhe marrja e kohës së shqiptarëve nëpër media, nëpër faqe gazetash, nëpër faqe portalesh me teori të tilla i shërben direkt apo indirekt Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga vuajtjet, nga papunësia. Mund të jetë interesante për 100 apo 200 vetë në Tiranë, por për 3 milionë të tjerë, problem kryesor sonte që flasim është se me çfarë do t’i ushqejnë fëmijët. Me çfarë do të paguajnë nesër bukën e gojës.

Pyetje: Ka marrëveshje politike mes jush dhe Edi Ramës? Keni komunikuar ndoshta jo në nivel personal, por në nivel ekspertësh për reformën zgjedhore?

Lulzim Basha: Nuk ka absolutisht asnjë marrëveshje dhe asnjë komunikim midis meje dhe Edi Ramës. Dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje. Marrëveshja do të jetë me popullin që jo vetëm ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo tirani, por edhe ta ndëshkojmë Edi Ramën. Pa ndëshkuar Edi Ramën e keqja do të përsëritet. Pa e ndëshkuar Erion Veliajn e keqja do të përsëritet. Pa i ndëshkuar shërbëtorët e Edi Ramës dhe Erion Veliajt e keqja do të përsëritet. Prandaj, në qoftë se ka një zotim të hershëm por që ia vlen ta rikthejmë në vëmendje të opozitës me rastin e krimit barbar tek Teatri Kombëtar është që të gjitha këto krime do të ndëshkohen. Ky është zotimi im sot si kryetar I opozitës dhe detyra ime e parë nesër si kryeministër.

Pyetje: Godinën e Teatrit e shembi Erion Veliaj apo Edi Rama?

Lulzim Basha: Pa diskutim që e shembi Edi Rama. Erion Veliaj nuk është gjë tjetër veçse një levë qorre e Edi Ramës, aksesor në krimet e tij dhe kryebetonieri i mafies. E ka kthyer Bashkinë e Tiranës në një lavatriçe të parave të pista të krimit.

Pyetje: Ju e shikoni Parlamentin besoj. Ndjeni një farë përgjegjësie…

Lulzim Basha: Nuk e shoh Parlamentin se për mua nuk ka Parlament. Ai është landfilli i vendit. Nuk ka opozitë të re. Shumica dërrmuese e njerëzve aty, janë njerëz që u blenë, u joshën dhe u blenë nga Edi Rama.

Pyetje: Presidenti Meta thotë që në datën 8 prill ka prezantuar një platformë të plotë me 8 pika. Ju e keni marrë këtë?

Lulzim Basha: Nuk e kam marrë, por më ka njohur me idenë e tij, që javën e parë të prillit, nuk më kujtohet data.

Pyetje: Keni biseduar me presidentin Meta për këtë platformë?

Lulzim Basha: Patjetër. I kam parashtruar edhe idetë e mia. I kam thënë që janë 15 pika të Bashkimit Europian. Ky është udhërrëfyesi ynë si opozitë. Edi Rama i ka këto detyra, ishin 5, u bënë 9, tani janë 15. Nuk pres që Edi Rama të arrestojë e të çojë në burg Gjush Dakon me shokë, meqë ka thënë se “nuk m’i cakton Departamenti i Shtetit shokët”, këta janë shokët e tij. Kështu që e vetmja pikë ku opozita është e angazhuar dhe do të bëjë sa të mundet për t’u garantuar shqiptarëve votën, është reforma zgjedhore, ndërkohë që qeveria dhe institucionet e tjera duhet të angazhohen për 14 pikat e tjera. Ky ishte qëndrimi im, kur Presidenti më njohu me këtë dokument.

Pyetje: Kryeministri Rama tha se nuk është njohur me platformën. Në dijeninë tuaj, edhe ai ka pasur dijeni për platformën sikur se ju?

Lulzim Basha: Në emër të Edi Ramës nuk mund të flas. Në emër të tij nuk mund të flas, por nga informacioni që kam është një gënjeshtër e madhe sepse është e pamundur që ky nuk e paska pasur këtë dijeni, por siç i kam thënë Presidentit Meta lodhet kot sepse Edi Rama e ka jetik bllokimin e procesit të integrimit. E ka jetik, procesin e bllokimit të procesit të integrimit.

Pyetje: Po pse?

Lulzim Basha: Sepse ecja përpara e procesit të integrimit, në qoftë se ndodh siç ka ndodhur le të themi në Kroaci apo vende të tjera, edhe zullumqarë shumë të vegjël i ka parë para drejtësisë dhe prapa hekurave, e jo më Edi Ramën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat