Opozita thërret në interpelancë Ramën për Teatrin/ Kryeministri do të japë ‘llogari’ në Kuvend

Shqipëria

Opozita thërret në interpelancë Ramën për Teatrin/ Kryeministri do të japë ‘llogari’ në Kuvend

Më: 28 maj 2020 Në ora: 08:47
Edi Rama

Ditën e sotme në orën 10:00 pritet të nisë seanca plenare. Sot do të zhvillohet edhe një interpelancë mes Edi Ramës dhe disa deputetëve të opozitës parlamentare për shembjen e Teatrit Kombëtar. Në këtë seancë do të ketë debate për këtë çështje, e cila është kundështuar nga opozita parlamentare.

Ndërkohë në rend dite për t’u miratuar janë: akti normativ për disa ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, shtyrja e pagesave të këstit të tatimit mbi fitimin për tremujorin e dytë dhe të tretë për vitin 2020, dhe pagimi i kësteve do të vazhdojë në muajin tetor 2020.  Po kështu do të ketë diskutime edhe për miratimin e  aktit normativ për shtyrjen e fazës së parë të përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm për shkak të pandemisë COVID-19. Sakaq parlamenti pritet të miratojë edhe projektligjin për marrjen e hua-së nga FMN në vlerën e 139.3 milionë SDR (monedhë e fortë, e drejta e tërheqjes speciale), ose rreth 174 milionë euro.

Më 17 maj me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës u shemb godina e Teatrit Kombëtar. Ky vendim është kundështuar edhe nga opozita jashtë parlamentare. Ndërkohë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, pas shembjes  së godinës së Teatrit Kombëtar ka zhvilluar 3 protesta në Tiranë dhe 2 në Durrës e 1 në Shkodër. Me këtë tur synohet që të mblidhen firma nga qytetarë e artistë për rindërtimin e Teatrit Kombëtar aty ku ishte ashtu siç ishte. Ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se godina e teatrit do të ndërtohet në të njëjtin truall, por do të jetë një projekt i ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat