Katër orë diskutime, asnjë marrëveshje mes palëve për reformën zgjedhore

Shqipëria

Katër orë diskutime, asnjë marrëveshje mes palëve për reformën zgjedhore

Më: 30 maj 2020 Në ora: 22:35
Foto nga takimi

Pas 4 orësh diskutime në këshillin politik, maxhoranca dhe opozita nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për reformën zgjedhore, afati i të cilës është dita e nesërme.

Në dalje të takimit Gjiknuri-Bylykbashi-Vasili e Hajdari, dy përfaqësuesit e opozitës kanë hedhur akuza në drejtim të maxhorancës, duke thënë se nuk pranoi kërkesën e tyre për të futur identifikimin biometrik të votuesve, si të vetmen mënyrë për të parandaluar vjedhjen e votave dhe mbushjen e kutive në ditën e zgjedhjeve. Një tjetër pikë me interes që për opozitën u refuzua nga maxhoranca, ka qenë ajo e depolitizimit të KQZ-së dhe administratës zgjedhore.

Bylykbashi: PS nuk heq dorë nga modeli i 30 qershorit, vetë mbush kutitë, vetë i numëron, vetë shpall rezultatin. PS ka në planin e saj vetëm vjedhjen e marrjen e votave në tavolinë. Kjo është një vizë e kuqe që opozita nuk do ta lejojë. Pa u ndalur mbushja e kutive përmes identifikimit biometrik në të gjitha qendrat e votimit, nuk ka zgjidhje tjetër.

Vasili: Modeli i tyre është legjitimimi i eksperimentit të 30 qershorit, ku numëruesit e komisionerët e PS-së të bëhet me ligj. Parimi stalizinist që zgjedhjet të bëhen se votat i numërojmë ne, është parimi i PS. Pra mbush kutitë në tavolinë, të numërojë po vetë e të nxjerrë rezultatin njëlloj siç bëri më 30 qershor. Ajo që opozita ka vendosur pa kthim është asnjë cm më poshtë nga standardet që tashmë eksistojnë. Nuk hymë në një rrugë që nuk ka ekzistuar kurrë më parë. Sot ka vetëm një strategji të tyren, ta minojnë reformën zgjedhore dhe të rrëmbejnë me komisione të paligjshme votat.

Bylykbashi: Kemi bërë propozime që vota të numërohet e paprekur dhe që rotacioni të bëhet me votë. Të gjitha propozimet tona janë rrëzuar, pavarësisht fleksibitetit të opozits. Jemi përballur me refuzimin e të gjitha çështjeve që garantojnë zgjedhje të lira. PS do të krijojë një alibi, që t’i vendosë rregullat vetëm e pa kompromis.

Ndërkohë përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri u shpreh se maxhoranca ka patur vullnet për futjen e sistemit të identifikimit biometrik, por sipas tij është e pamundur që të kryhet në të gjithë territorin e Shqipërisë. Gjiknuri deklaroi se OSBE/ODIHR ka folur për një futje të kësaj teknologjie në 10% të vendit dhe se një dështim i mundshëm i teknologjisë do të ishte katastrofik për të gjitha zgjedhjet, nëse do të kishte 100% identifikim biometrik e votim elektronik në Shqipëri.

Gjiknuri: Vullneti ynë ka qenë i qartë. Jemi angazhuar që ta aplikojmë teknologjinë biometrike dhe votimin elektronik, por përtej dëshirës. Iu drejtuam zyrtarisht ODIHR, të cilët na thanë se sistemi elektronik duhet implementuar gradualisht në 10%. Unë i bëra një sfidë sot, i thash jemi gati për 100%, por t’i drejtohemi ODIHR dhe nëse na kthen përgjigje, po e marrim riskun.

Së dyti, edhe administrata jo politike e cila do të ketë dhe sy politik, kemi ofruar kompromis për ktë, mund të jetë një zgjidhje e pranueshme. Kemi ofruar hapjen e çdo kutie dhe këtë nuk e ka patur asnjë parti si propozim. E kujtoni ju vitin 2009-2010. Ne po e ofrojmë këtë për çdo parti. Nëse komisionerët kanë shkelur ligji, kjo i bën komisionerët përgjegjës, pra do ketë ‘auditim’.

Së treti, pranuam përfshirjen e monitorimit me kamera të çdo qendre votimi. Nëse pra ka shkelje, provohet me kamera. Nuk mbushen kutitë me fantomasë. Kjo është një garanci ekstra. Kanë kërkuar të mos ketë prezencë rreth qendrave të votimit, e kemi pranuar këtë. Kemi pranuar kërkesat për financim, reduktim të financimit privat.

Ndërkohë përfaqësuesja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari ka deklaruar se propozimi i saj për listat e hapura është hedhur poshtë nga opozita. Hajdari ka hedhur akuza në drejtim të Bashës.

Hajdari: U propozova të rrinim gjithë natën këtu dhe të përmbyllnim çështjen. Nuk pranuan dhe nuk qëndruan. U çuan direkt sapo më dëgjuan, Erdha këtu për të ndryshuar sistemin dhe nuk e kuptoj se përse Partia Demokratike, nuk e mbështet këtë gjë. Më hodhën poshtë çdo gjë,. Pse këta njerëz, kanë kaq frikë për të ndryshuar sistemin zgjedhor, për të hapur listat dhe për bërë që shqiptarët të dinë se kë përfaqësues të votojnë? E kuptoj Edi Ramën, po Bashën nuk e kuptoj se përse e do këtë sistem që e ka bërë Bashën perandor. Persë Basha e do Ramën perandor? Edhe pse këta qëndruan sot bashkë kundër këtij propozimi, nuk e bënë. Thanë gjëra të ndryshme, por unë nuk e pranova atë përgjigje. Ata nuk duan lista të hapura sepse kanë frikë nga vota e qytetarit. Nga njëra anë kemi klasën e vjetër politike, nga ana tjetër kemi qytetarët që duan ndryshime. Minimumi shqiptarët të kenë të drejtë, të fusin në Parlament njerëzit që ata votojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat