Këshilli Politik, përfundon takimi i Bylykbashit e Gjiknurit me përfaqësuesin e Ambasadës së SHBA-së

Shqipëria

Këshilli Politik, përfundon takimi i Bylykbashit e Gjiknurit me përfaqësuesin e Ambasadës së SHBA-së

Më: 31 maj 2020 Në ora: 21:02
Ilustrim

Takimi i sotëm i Këshillit Politik për reformën zgjedhore, i cili u shty me 2 orë, ka nisur tashmë.

Të parët që janë futur në ambientet e Pallatit të kongreseve kanë qenë Oerd Bylykbashki dhe Petrit Vasili.

Ora 21:00 Përfundon takimi i Bylykbashit dhe Gjiknurit me përfaqësuesin e Ambasadës së SHBA-së.

Ora 20:40 Qeveria kujdestare - Në propozimin e PD-së thuhet se qeveria kujdestare do të formohet 100 ditë përpara ditës së zgjedhjeve parlamentare dhe se fillon ushtrimin e detyrës për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“100 ditë përpara ditës së zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë, miraton përbërjen e Qeverisë Kujdestare të Zgjedhjeve, e cila pas betimit përpara Presidentit të Republikës, fillon ushtrimin e detyrës për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me funksion të posaçëm ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. Ky rregull zbatohet deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”

Ora 20:10 Bylykbashi dhe Gjiknuri me përfaqësuesin e ambasadës së SHBA - Ndërkohë, në këto momente (ora 20:10) Bylykbashi dhe Gjiknuri janë ndarë veçmas për rreth 30 minutash për të diskutuar me përfaqësuesin e ambasadës amerikane.

Ky Këshill është mbledhur për të diskutuar çështjet e mbetura pezull të reformës zgjedhore.

Ato janë disa dhe nuk është e qartë, nëse do të ketë kohë për të arritur sonte një dakordësi.

Me gjithë volumin dhe vështirësinë e negociatave, gjëja pozitive është se në tryezë sonte nuk ka çështje të reja.

Ora 20:00 Opozita dorëzon propozimet - Opozita i ka dorëzuar që mbrëmë propozimet për garancitë e votës në zgjedhje, duke e çuar deri në fund pjesën e angazhimit të saj me reformën zgjedhore. Pjesë e këtyre propozimeve janë edhe qeveria kujdestare për zgjedhjet dhe roli i gjykatës kushtetuese. Diskutimi i tyre ende nuk ka nisur, por është e rëndësishme që të gjitha çështjet janë mbi tavolinën e bisedimeve.

Ndërkohë, sipas burimeve, deri në minutat e fundit ambasadorët kryesore kanë qenë në kontakt me të dyja palët.

Sot është afati i fundit për të cilin palët janë angazhuar ta përmbyllin atë.

Fryma është më pozitive, por ende nuk ka një marrëveshje.

Takimi i datës 30 maj - Këshilli Politik diskutoi pasditen e djeshme për 4 orë me radhë çështjet e mbetura pezull.

Opozita nuk mori konsensusin e mazhorancës për të futur identifikimin biometrik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit.

Dakordësi nuk kanë gjetur as për administrimin zgjedhor.

Deri më tani PD-PS kanë rënë dakord për çështjen e rifinancimit të partive, kuotave gjinore, dhe periudhës se kur do të zhvillohen zgjedhjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat