Arrihet marrëveshja për ‘zgjedhoren’! 100% e votimit me identifikim biometrik, komisionet zgjedhore siç ishin - Bota Sot
Arrihet marrëveshja për ‘zgjedhoren’! 100% e votimit me identifikim biometrik, komisionet zgjedhore siç ishin

Shqipëria

Arrihet marrëveshja për ‘zgjedhoren’! 100% e votimit me identifikim biometrik, komisionet zgjedhore siç ishin

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 21:13
Pamje nga vendi i ngjarjes

Palët duket se kanë arritur një marrëveshje për reformën zgjedhore, edhe pse në disa pika ku opozita e maxhoranca kishin propozime, duket se palët janë tërhequr për të vendosur më tutje.

Konkretisht ideja për depolitizimin e komisioneve zgjedhore ka qenë një pikë që i ka përplasur maxhorancën e opozitën dhe është dakordësuar që këto të fundit do të mbeten njëlloj siç janë për dy zgjedhjet e ardhshme (ato të vitit të ardhshëm dhe zgjedhjet vendore të radhës).

Por konsensus është arritur për identifikimin biometrik, i cili do të kryhet në të gjithë vendin si dhe ndryshimi i strukturës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Përfaqësuesit e opozitës bënë të ditur se është arritur marëveshja për votimin përmes identifikimit biometrik, ndryshim i strukturës së KQZ-së. Në lidhje me komisionet zgjedhore, PD u shpreh se maxhoranca refuzoi propozimin e opozitës dhe u ra dakord që komisionet të jenë ashtu siç janë aktualisht në zgjedhjet e vitit të kaluar dhe në vendoret e ardhshme.

Bylykbashi: Sot u arrit dakordësi për administrimin zgjedhor, 100% identifikim biometrik dhe administratë zgjedhore ashtu siç është sot. Kjo formulë do të aplikohet, do të aplikohet pas këtyre zgjedhjeve. Maxhoranca u përpoq të kapte komisionet zgjedhore, nuk e kapi dot dhe kjo është e gjitha.

Vasili: U arrit një dakordësi për administrimin zgjedhor, që përfshin në rradhë të parë identifikimin biometrik, një KQZ që riformatohet tërësisht. Sot ne propozuam një formulë për depolitizimin me komisioneve zgjedhore, me përjashtimin e administratës publike, një formulë që u refuzua nga Rama. Megjithatë për këdo zgjedhje e zgjedhjet e ardhshme lokale, komisionet do të mbeten ashtu siç janë. Më tutje do të kryhet depolitizimi i plotë i tyre.

Me pare lajmin per marreveshjen e beri publik PD permes nje njoftimi.

“Këshilli politik arriti dakordësinë për administrimin e zgjedhjeve. Palët pranojnë përfshirjen 100% të identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhje. Kjo shihet si mundësia më e mirë për të ndaluar votiminë shumë se një herë. Palët zgjidhën edhe çështjen që mbajti pezull dakordësinë për 4 ditë, atë të përbërjes së komisioneve zgjedhore. PS u tërhoq nga depolitizimi i administratës zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme. PS e mori këtë vendim të papritur, pasi PD kërkoi që administrata publike të jetë e përjashtuar sipas një formule të propozuar nga BE. Mësohet se PD e pranoi në mëngjes këtë formulë për depolitizimin. Për zgjedhjet e ardhshme, komisionet do të mbeten siç janë aktualisht. Pjesë e dakordësisë mes palëve për administrimin zgjedhor është edhe riformatimi i KQZ. Ky do të jetë një organ i ndarë në tre trupa të balancuara politike. Kryetari zgjidhet me konsensus, nënkryetari nga opozita. Puna e Këshillit Politik nuk ka mbaruar. Puna do të vijojë për çështjet e tjera në Këshill, që nuk kanë të bëjnë me administraten zgjedhore. Palët kanë rënë dakord që Parlamenti të mos e ndryshojë dot draftin pa pëlqimin e palëve në Këshillin Politik. Mësohet se rol kyç në dakordësinë mes palëve ka patur Komisioni Europian”, njofton PD-ja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat