Kodi Zgjedhor nis “betejën” në parlament, opozita e re ka paralajmëruar votën kundër

Shqipëria

Kodi Zgjedhor nis “betejën” në parlament, opozita e re ka paralajmëruar votën kundër

Më: 7 qershor 2020 Në ora: 20:25
Pamje nga takimi

Beteja për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, do të rinisë tashmë në Kuvend.

Këshilli politik, pas kompromisit mes PS dhe opozitës jashtë parlamentare, i ka dorëzuar rekomandimet në komisionin e posaçëm, i cili ka mandatin e propozimeve zyrtare.

Por tashmë është opozita e re që ka paralajmëruar votën kundër.

Deri më tani përfaqësuesja e tyre, Rudina Hajdari ka firmosur paketën e realizuar me bekimin e ndërkombëtareve, por do të duhet të pranojë zyrtarisht dhe ligjin që do të kalojë për votim.

Nga ana tjetër përçarja mes opozitës parlamentare mund të ndikojë edhe te kjo votë, pasi nuk dihet nëse drejtuesit e rinj të grupit parlamentar do të jenë dakord me qëndrimet e Hajdarit.

Një sinjal që lë dyshime për këtë votë është edhe letra që 29 deputetë të opozitës iu dërguan ambasadorëve, ku e cilësuan fyerje qe reforma po diskutohej jashtë komisionit të reformës zgjedhore, duke paralajmëruar se nuk do të votonin asnjë pazar.

Sipas Kushtetutës për të miratuar ndryshimet, do të duhen së paku 84 vota.

Nga 122 deputetë që ka sot Kuvendi PS ka 74 mandate, por së bashku me aleatët e deklaruar numri shkon në 80, ku përfshihen 3 deputetët e PDIU, dy të LSI dhe 1 i PSD.

Në këto kushte do të duhet që për paketën e këshillit politik të binden së paku dhe 4 nga deputetët e rinj, por në këtë rast konsensusi të konsiderohej i arritur me shumicën jashtë parlamentare, por jo me ata që kanë aktualisht të drejtën e votës.

Kryesuesi i bisedimeve për PS, Damian Gjiknuri, të shtunën tha se miratimi do të bëhet brenda legjislaturës, çka u lë kohë palëve për negociata deri në fund të korrikut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat