“Roja i tërhiqte vajzat për flokësh”/ I riu i rritur në jetimoren e Shkodrës konfirmon dëshminë tronditëse të Adrianës

Shqipëria

“Roja i tërhiqte vajzat për flokësh”/ I riu i rritur në jetimoren e Shkodrës konfirmon dëshminë tronditëse të Adrianës

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 13:37
Adriana

Një vajzë e dhunuar dikur në fëmijërinë e saj mori guximin të denonconte para kamerave të gjithë abuzuesit.

Pak ditë më parë, në programin “Dua të të bëj të lumtur”, Adriana, 27-vjeçe rrëfeu historinë tronditëse të jetës së saj. Ajo tregoi se ishte rritur në shtëpinë e jetimores në Shkodër dhe se në moshën 12-vjeçare, roja i jetimores kishte abuzuar seksualisht me të për një kohë të gjatë. E reja rrëfeu se roja e kërcënonte me jetë nëse do t’i tregonte dikujt për veprimet e tij, ndërkohë që zbuloi se të gjitha vajzat e asaj jetimoreje abuzoheshin seksualisht. Sipas rrëfimit të Adrianës, në jetimore nuk ishte vetëm roja që ushtronte dhunë seksuale e fizike, por edhe mësuesit e kujdestarët.

Ditën e sotme, në emisionin “Shqipëria Live” ishte i ftuar 23-vjeçari Ervis Zefi, i cili nga mosha 1 e deri 19 vjeç ka jetuar pikërisht në jetimoren e Shkodrës. Zefi tregoi përjetimet e tij në këtë institucion dhe mbështeti versionin e Adrianës përsa i përket dhunës dhe përdhunimeve. Ai është larguar nga jetimorja në vitin 2015.

“Roja i merrte vajzat dhe i fuste te kaldaja, i tërhiqte për flokësh. Kishte dhe personel që fuste fëmijë më të rritur se ne. I kemi parë me sytë tanë. Jam këtu për të konfirmuar se akuzat e Adrianës janë të vërteta. Jam i gatshëm të rrëfej historinë time në polici. Roja i natës rrihte edhe fëmijë me nevoja të veçanta. Mësuesit e shkollës e dinin për dhunën e ushtruar.”

Përgjatë gjithë fëmijërisë së saj, Adriana ishte abuzuar seksualisht derisa kishte mbushur moshën 18-vjeçare dhe ishte detyruar që të largohej e të shkonte në konviktin e vajzave “Safet Spahiu” në Shkodër. Në këtë konvikt vajzat më të mëdha në moshë se Adriana ishin shndërruar në tutore duke i detyruar të tjerat që të kryenin marrëdhënie seksuale kunddrejt pagesës. “Ato fusnin njerëz në konvikt dhe nëse nuk bëja shumën ditore të caktuar më rrihnin, më linin të flija nëpër korridore!”.- ishte rrëfimi shokues i Adrianës.

Gjatë rrëfimit të Adrianës u zbulua se ajo nuk kishte duruar më gjendjen në të cilën ndodhej dhe kishte shkuar të denonconte në vitin 2015 përdhunimin që i ishte bërë, por fatkeqësisht polici që e kishte pritur kishte abuzuar seksualisht me të. Menjëherë pas këtij episodi stafi i programit “Dua të të bëj të lumtur” kishte dorëzuar në Prokurori dosjen e Adrianës sëbashku me rrëfimin e saj, për të kërkuar drejtësi për ngjarjen e ndodhur.

Pas denoncimit të bërë nga programi, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit, arrestoi ditën e premte shefin e Stacionit Policor Fushë- Arrëz, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat