Tedi Blushi për gazetaren e DW: Keqardhje që në shkrimin për Kushtetuesen nuk referon opinionin e Venecias

Shqipëria

Tedi Blushi për gazetaren e DW: Keqardhje që në shkrimin për Kushtetuesen nuk referon opinionin e Venecias

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 15:41
Tedi Blushi

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, ka reaguar për një shkrim të DW të publikuar sot nga gazetarja Ani Ruci, me titull "Tiranë: Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese në rend të ditës".

Blushi shpreh keqardhjen që në shkrim nuk gjejnë vend konstatimet e qarta dhe rekomandimet specifike që Komisioni i Venecias ka bërë mbi procesin e emërimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Duke ripërsëritur qëndrimin e palëkundur të Presidentit të Republikës Ilir Meta se funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi jetike për kthimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri, ashtu sikundër është edhe zbatimi kushtetues i reformës në drejtësi, Blushi beson se është e domosdoshme që opinioni publik të njihet me analizën dhe konkluzionet e Komisionit të Venecias në mënyrë të drejtëpërdrejtë, jashtë çdo interpretimi politik.

Në shkrim, DW shkruante se në krye të listës prej 15 kushtesh, që Gjermania, Franca, Holanda, Danimarka dhe Spanja i kërkuan Këshillit Europian që t’i plotësojë Shqipëria, për fillimin “de facto” të negociatave të anëtarësimit është funksionimi i Gjykatës Kushtetuese.

Pikërisht këtë përqasje e përforcoi Parlamenti Europian ditët e fundit, kur publikoi fundjavën e kaluar, votimin pro të një amendimi vetëm për Shqipërinë, në rezolutën e tij për gjithë Ballkanin Perëndimor, në mbështetje të politikës së zgjerimit të BE në këtë rajon.

Më poshtë sqarimet e Tedi Blushit

Konkretisht, Komisioni i Venecias ka theksuar se:

I. Roli i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) ishte vendimtar në procesin e emërimeve të Gjykatës Kushtetuese.

II. Shkaktar i incidentit procedurial në procesin e emërimeve të gjyqtarëve kushtetues ishte Kryetari i KED.

III. Transparenca është thelbësore jo vetëm për besueshmërinë e procesit të emërimeve por edhe për vetë Gjykatën Kushtetuese. KED minoi transparencën e procesit përmes vendimeve antikushtetuese.

IV. Veprimet e Presidentit ruajtën kushtetutshmërinë e të gjithë procesit të emërimeve. Emërimi i mëvonshëm i kandidatit të dytë të Presidentit është i justifikueshëm, pasi qëllimi i mekanizmit zhbllokues nuk ishte i zbatueshëm, për sa kohë nuk kishte as mosveprim dhe as vullnet dashakeq nga ana e Presidentit. Refuzimi i Presidentit për të pranuar betimin e kandidates që pretendonte emërimin automatik ishte i arsyeshëm.

V. Ligji i miratuar në Parlament për ndryshimin e procedurës së betimit përpara Presidentit të Republikës është antikushtetues. Betimi përpara Presidentit shënon jo vetëm nisjen e detyrës së gjyqtarit por edhe konfirmon legjitimitetin e këtij mandati kushtetutes. Ndryshimi i kësaj procedure mund të bëhet vetëm përmes ndryshimit të Kushtetutës me një dispozitë të formuluar qartë dhe vetëm për rastet e qarta të abuzimit. Në rastin aktual Komisioni i Venecias nuk konstaton në asnjë moment abuzim me detyrën.

VI. Ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi jetike për Shqipërinë veçanërisht për kushtetutshmërinë e çështjeve që lidhen me interesin publik. Dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë thelbësore për një konsensus të gjerë. Respektimi i mandatit dhe kompetencave të institucioneve shtetërore është kyç.

Të gjitha këto janë pikë për pikë konkluzione të Komisionit të Venecias mbi procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese të cituara si më poshtë, dhe nuk janë as komente të Presidentit dhe as të ndonjë komentuesi dashamirës.
Sa i përket shqetësimit në lidhje me shkarkimin e Presidentit të Republikës, sjell gjithashtu në vëmendje se mazhoranca aktuale ka kërkuar dy herë mendimin e Komisionit të Venecias për këtë çështje, me pretendimin e shkeljes së rëndë të Kushtetutës. Në të dyja herët Komisioni i Venecias është shprehur qartë se pretendimet e Kuvendit nuk kanë bazë për të çuar në shkarkimin e Presidentit. Madje Komisioni ka paralajmëruar mazhorancën që në rast se i shkon deri në fund këtij qëllimi politik do të duhet të vendosë “nëse në fund të fundit kjo do t’i shërbente apo do t’a asgjesonte qëllimin e kontrollit dhe balancës në një situatë kur Parlamenti dhe të gjitha bashkitë dominohen nga një parti. ”

Sa i përket çështjes së 15 kushteve të Bashkimit Europian, dëshiroj të theksoj se ka qenë pikërisht Presidenti Meta, që edhe në këtë rast, ka kërkuar bashkëpunim gjithëpërfshirës, dhe në mungesë të këtij bashkëpunimi ka paralajmëruar me shqetësim shtimin e kushteve, duke këmbëngulur se nga Shqipëria pritet përparim konkret dhe i vërtetë.

Si gazetare e “DW”, ju keni zbuluar vetë qëndrimin e qartë që edhe Gjermania, vendi që do të marrë së afërmi Presidencën e Bashkimit Europian, ka mbajtur në raport me pritshmëritë e këtij procesi, me rëndësi strategjike për Shqipërinë.

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta qëndron përherë i gatshëm t’ju sqarojë drejtpërdrejt çdo çështje, e veçanërisht faktet që përbëjnë interes të veçantë publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat