Çudirat me shifrat e koronavirusit, mjeku Alimehmeti tregon të fshehtat

Shqipëria

Çudirat me shifrat e koronavirusit, mjeku Alimehmeti tregon të fshehtat

Më: 29 qershor 2020 Në ora: 08:57
Foto ilustrim

Shifrat e koronavirusit gjatë muajit qershor kanë marrë një kthesë tjetër, ku janë rritur ndjeshëm numri i të infektuarve si dhe numri i atyre që kanë humbur betejën me koronavirusin, sakaq për më tepër ka pasur dhe raste viktimash të cilët kanë qenë në moshë të re. Këto të dhëna kanë bërë që opinioni publik të frikësohet dhe habitet deri dikur, se pse vijnë pikërisht tani këto luhatje të shifrave.

Mjeku shqiptar, Ilir Alimehmeti përmes një statusi në rrjete sociale ka bërë një paralelizëm me SHBA dhe vendet e tjera. “Çfarë po ndodh? U “egërsua” virusi? Po vjen vala e dytë? Përgjigjet për të dyja pyetjet janë JO! Le të përqendrohemi mbi disa detaje. Të gjithë ju keni vënë dëgjuar në media, që aq shumë i ndiqni, që SHBA ka regjistruar dy ditë rresht rekorde në raste të reja! Gjithashtu keni dëgjuar që kjo gjë ndodh për shkak të protestave të zhvilluara atje. Mendojeni vetë! Në SHBA ka 330 milionë banorë, sa mendoni ju që kanë dalë nëpër protesta? Një fraksion krejtësisht i pallogaritshëm i këtij numri. Mirëpo në SHBA shifrat e vdekjeve janë në nivele rënie të vazhdueshme, siç mund të shihet qartësisht në grafik.

Pse po ndodh kjo? Për shumë arsye: Janë shtuar numrat e të testuarve. Po ekzaminohen shumë persona të rinj dhe pa sëmundje, që edhe pse dalin pozitivë nuk do të kenë asnjë problem”, ka shkruar mjeku. Sipas tij, të gjitha këto të dhëna shkojnë në linjë me paradoksin ndërmjet kurbës së rasteve të reja dhe kurbës së vdekjeve. “Nga ana tjetër duhet të themi, që për siguri duhet të presim edhe rreth 5-10 ditë, pasi siç e dimë nga zbulimi deri në vdekje nevojiten disa ditë”, ka shtuar Alimehmeti.

Krahasimi me Shqipërinë

Më pas mjeku ka bërë një krahasim me situatën në vendin tonë. Ajo që ka nxjerrë në pah mjeku është se në vendin tonë rastet shoqërohen pothuajse menjëherë me vdekje, pra nuk qëndron ajo pritja me 5-10 ditë që u tha më lart. “Pse kjo çudi shqiptare? Mundësia më e madhe është se shumica dërrmuese e këtyre vdekjeve kanë ndodhur në pacientë spitalorë të shtruar me sëmundje të tjera të rënda. Si rrjedhojë, koha ndërmjet tamponit pozitiv dhe vdekjes është më e shkurtër se sa mund të pritej pasi pacienti është në gjendje të rëndë që në fillim nga sëmundjet e mëparshme, pa lidhje me COVID-19. Kujtoj se nuk ka asnjë komunikim zyrtar mbi numrin total të pacientëve të infektuar nëpër spitale dhe ecurinë e tyre. Të dhënat që kemi janë përmes kolegëve mjekë dhe burimeve mediatike. Tjetra mundësi, më pak e mundshme, është se këta pacientë janë testuar vonë gjatë ecurisë së sëmundjes, si rrjedhojë nuk kanë pasur mundësi për trajtim sa më herët”, tha ai. Sipas mjekut, kjo është arsyeja pse nevojiten sa më shumë testime, që pacientët të zbulohen sa më herët dhe të trajtohen sa më shpejt. Ai ka shtuar se tjetër element është se në Shqipëri nuk janë dhënë kurrë të dhëna mbi nivelin e ngarkesës virale në tampone. Si rrjedhojë, nuk mund t’i analizojmë këto të dhëna. “Kështu që miqtë e mi, mos lini zhurmën t’ju çorientojë, por përqendrohuni te sinjali i vërtetë. Në nivel komunitar, rastet e reja po shtohen, si në SHBA! Gjithashtu, edhe vdekjet në nivel komunitar nuk kanë rritje, si në SHBA! Rritja është në nivel spitalor”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat