Foshnja 2 muajshe me Covid, mjekja pediatre: Momentalisht është mirë, s’ka siguri 100% që fëmijët e kalojnë më lehtë

Shqipëria

Foshnja 2 muajshe me Covid, mjekja pediatre: Momentalisht është mirë, s’ka siguri 100% që fëmijët e kalojnë më lehtë

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 00:26
Gjeorgjina Kuli

110 fëmijë janë prekur nga koronavirusi që prej fillimit të pandemisë në vendin tonë. Aktualisht 25% e këtyre rasteve janë aktive.

Gjeorgjina Kuli, shefja e infektivit të pediatrisë thotë për Ora News se ka pasur pak raste të rënda por asnjëherë nuk mund të flitet me siguri të plotë që fëmijët e kalojnë lehtë sëmundjen.

Ajo foli edhe për gjendjen e foshnjes 2 muajshe me Covid që po merr trajtim spitalor bashkë me nënën.

Kuli: Deri tani janë referuar pak raste të rënda te fëmijët.Asnjëherë nuk mund të flasim me siguri 100% që fëmijët e kalojnë lejhtë. Ka edhe fëmijë me sëmundje shoqëruese, sëmundje kronike. Nëse ekspozohen ndaj virusit mund ta kalojnë më rëndë sëmundjen dhe mund të paraqesin komplikacione.

Po kështu edhe moshat e vogla, ashtu si në rastin e foshnjes që kemi të hospitalizuar që erdhi me temperaturë të lartë dhe prekje të mushkërisë. Deri tani fëmija është mirë, ruan parametrat e tij jetikë, nuk ka temperaturë prej 24 orësh, pi mirë, nuk ka shënja të vështirësisë në frymëmarrje.Uroj të mbetet deri në fund kështu.

Kuli thekson se shifrat e ditëve të fundit na kanë vënë në një gjendje shqetësuese që duhet të ndërgjegjësojë gjithësecilin për mbrojtjen personale dhe respektimin e masave kundër Covidit.

Kuli: Supozimet ishin që ky virus do të kishte më pak fuqi transmetimi dhe do të ishte më i dobët në stinën e nxehtë dhe temperaturat e larta por siç e shohim pikërisht në këtë stinë ne kemi shifra më të lartë dhe shifra shqetësuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat