‘4 Korriku’ Meta mesazh urimi për Trump: Të vendosur të qëndrojmë pranë jush

Shqipëria

‘4 Korriku’ Meta mesazh urimi për Trump: Të vendosur të qëndrojmë pranë jush

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 09:11
Ilir Meta, Donald Trump dhe Melania Trump

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka shkruar një letër urimi Presidentit të SHBA-ve Donald Trump me rastin e “4 Korrikut”, festës së Pavarësisë.

Në mesazhin e tij Meta shkruan së ky përvjetor mbërrin në një kohë shumë të vështirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për mbarë botën, pasi pandemia e COVID-19 është përhapur në të gjithë rruzullin tonë me efektet e saj serioze dhe të paparashikueshme por se SHBA-të, do t’ia dalin të mbizotërojnë kundër kësaj pandemie dhe se ato do të ngrihen edhe më të fortë se kurrë.

Mesazhi i Metës:

?? – I nderuar Zoti President, Donald J. Trump!

Viti 2020 shënon 244-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, një trashëgimi e përbashkët e lirisë dhe përkujtimit të udhëtimit, si dhe të sakrificave të popullit të madh amerikan, që e bënë këtë komb kaq të fortë e të begatë.

Etërit tuaj Themelues e dinin shumë mirë çmimin e lirisë, sepse u zotuan të jepnin jetën, fatin dhe nderin e tyre të shenjtë për të shpallur pavarësinë, si dhe për të mbrojtur të drejtat e dhëna nga Zoti.

Këto themele të qëndrueshme mbeten edhe sot e kësaj dite parimet kryesore të ekzistencës së kombeve demokratike.

Ky përvjetor mbërrin në një kohë shumë të vështirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për mbarë botën, pasi pandemia e COVID-19 është përhapur në të gjithë rruzullin tonë me efektet e saj serioze dhe të paparashikueshme.

Ne jemi optimistë se forca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do t’ia dalë mbanë të mbizotërojë kundër kësaj pandemie dhe se ato do të ngrihen edhe më të fortë se kurrë, duke qenë njëkohësisht mirënjohës për mbështetjen dhe ndihmesën bujare që qeveria juaj na ka dhënë teksa ne po përballemi me sfidat e pandemisë.

I dashur Zoti President,
Ndërsa 4 korriku po troket në prag, populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe aleatët e tij do të festojnë lindjen e kombit tuaj të madh.

Po e shfrytëzoj këtë rast, që në emrin tim dhe atë të popullit shqiptar, t’Ju uroj Ju dhe mbarë popullin amerikan: “Gëzuar 4 korrikun!”, si dhe t’Ju shpreh urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj dhe përparimin e mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

I njëjti mesazh urimi iu shkon të gjithë shqiptaro-amerikanëve, të cilët kanë kontribuar ndjeshëm për forcimin e marrëdhënieve tona, duke shërbyer në këtë mënyrë si një urë lidhëse për miqësinë tonë afatgjatë e të fortë.

Kam kënaqësinë t’Ju përcjell i dashur Zoti President, vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që t’i shërbejmë interesit të përbashkët të të dy kombeve tanë miq, teksa Shtetet e Bashkuara festojnë 244-vjetorin e Pavarësisë dhe ripërtërijnë energjinë e tyre për t’u përballur me sukses me sfidat e kohës sonë.

Uroj që lidhjet tona të forcohen edhe më tepër, ndërsa ne i gëzohemi miqësisë sonë të bekuar!

Ju lutem pranoni, zoti President, sigurimet e vlerësimit tim më të lartë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat