‘Wuhan-i shqiptar’/ Mjeku i infektuar jep alarmin: Të rriten testimet - Bota Sot
‘Wuhan-i shqiptar’/ Mjeku i infektuar jep alarmin: Të rriten testimet

Shqipëria

‘Wuhan-i shqiptar’/ Mjeku i infektuar jep alarmin: Të rriten testimet

Më: 8 korrik 2020 Në ora: 14:12
Shqipëri

Në një intervistë për ABC News, mjeku radiolog nga Kruja, Adrian Mata u shpreh se duhet rritur numri i testeve.

Duke folur për situatën në Krujë, që mjeku e cilëson si “Wuhani i vogël”, ai shprehet së tamponët që bëhen nuk janë të mjaftueshme.

“Testet kanë filluar që të shtohen, por mendoj se ky numër nuk është i mjaftueshëm. Duhen më shumë se dihet që Kruja jo gabimisht është quajtur si “Wuhani i vogël”. Prandaj duhen shtuar testet. Shtimi i numrit të testeve jo vetëm që përcakton numrin e të infektuarve, por kemi mundësi më shumë për të parandaluar infektimin e mëtejshëm. Ne rrimë me njerëz të infektuar dhe nuk e dimë. Ky numër nuk është i mjaftueshëm. Nuk kryhen në kohë tamponët sepse nuk janë të mjaftueshëm numrat. Pavarësisht se Kruja është e mobilizuar, por realisht ajo që unë ngul këmbë është të shtohet numri i tamponëve. Njerëz të infektuar qarkullojnë në qytet dhe mesa duket nuk po masat që po merren”, u shpreh ai.

Mjeku po ashtu bëri një denoncim të fortë, pasi sipas tij ka mungesë epidemiologësh. Mata tha se epidemiologët në qytete janë me kurse 9-mujore.

“Epidemiologë sot në Shqipëri nuk ke. Nuk mund të quhet një epidemiolog që thjesht ka kryer një kurs. Kurset 9-mujore nuk janë specifike dhe nuk hyjnë në punë. Në shumicën e qyteteve po të shikosh janë në kurse. Epidemiologët e mirëfilltë ose janë në pension ose janë të mbledhur në qarqe. Epidemiologu ka një rëndësi të madhe nëse është i mirëfilltë epidemiolog”, deklaroi mjeku.

Më tej, Mata shpjegoi se si procedojnë me pacientët e infektuar në spitalin e Krujës. Ai tha se kanë ngritur çadra ku u japin ndihmën e parë. Mjeku ngriti shqetësimin se nuk po zbatohen rregullat, pasi të infektuarit vijnë vetë në spital të shoqëruar nga familjarë, që po ashtu mund të jenë pozitivë.

“Nëse ne konstatojmë se ai është i diagnostikuar me Covid, kemi ngritur dy çadra për këto vizita. I jepet ndihma e parë dhe dërgohen në shtëpi. Por ka raste që këta vijnë vetë dhe po prishet rregulli. Familjarët e sjellin të sëmurin këtu dhe kjo paraqet rrezik. Kemi në rrethin e mjekëve që janë infektuar”, tha ai, ndërsa tha se edhe ai dhe bashkëshortja e tij u infektuan nga Covid-19.

“Unë në 29 maj jam tamponuar dhe rezultova pozitiv. Më 1 maj bashkëshortja ime, dhe ne u karantinuam. Duhet të gjejmë një mënyrë si të parandalohet. Nga ana psikologjike ishim të përgatitur. Por ky virus të vret shumë nga ana psikologjike. Nga ana shëndetësore nuk është se patëm ndonjë shqetësim. Të sëmurët po fillojnë shumë komplikacione. Po shikojmë raste të shumta”, deklaroi ai.

Mata propozoi se nëse është e mundur duhet të ngrihet edhe një spital Covid në Krujë, duke qenë se është një zonë e rrezikshme.

“Të ngrihet edhe një Covid në Krujë. Duke parandaluar kemi mundësinë të eliminojmë gjëra të tjera. Po përhapet në mënyrë galoponte ky virus. Ndoshta edhe rritja e tamponeve. Shpeshherë shumica janë asimptomatikë. Duhet të tamponohen njerëz. Kemi një rast pardje që ka ndërruar jetë, është edhe një tjetër që thuhet, por ai është banor i Tiranës dhe i Krujës, por vdekshmëria është në rritje”, theksoi mjeku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat