Historitë e trishta të grave që vuajnë dënimin, inspektorja e burgut: Kam njohur një vajzë që nëse djali im do dashurohej...

Shqipëria

Historitë e trishta të grave që vuajnë dënimin, inspektorja e burgut: Kam njohur një vajzë që nëse djali im do dashurohej...

Më: 10 korrik 2020 Në ora: 13:45
Meri Mezini

Inspektorja e burgut të grave, Meri Mezini, ishte ditën e sotme e ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku tregoi jetën e saj në këtë detyrë.

Ajo u shpreh se i ka pëlqyer uniforma që kur ka qenë fëmijë, pasi ka parë xhaxhain e saj. “Kam studiuar për ekonomik në Universitetin Bujqësor Kamzë, pasi nuk më doli shkolla që dëshiroja. Por fatmirësisht erdhi më vonë”, tha ajo.

“Kur jam veshur për herë të parë me uniformë, s’më ka pëlqyer shumë. Në punën na shikonin si ushtarë, jo si gardiane. Madje ka patur raste që kolegët e mi nuk më kanë dashur për shkak se isha e afërt me gratë e dënuara”, shtoi Meri.

Gjithashtu gardiania ka zbuluar edhe rastet kur u ka qëndruar pranë grave me heqje lirie. Ajo ka rrëfyer një rast të një vajze, që gjithashtu e ka personazh në librin e saj.

“Unë kam patur raste që u kam shërbyer njerëzve me precedent penalë të rëndë, por edhe atyre që janë dënuar për gjëra banale. Ka njerëz që nga fukarallëku kanë vjedhur. Vajza që kam unë personazh në libër, është një vajzë që vjedh nëpër urbane pasi nëna e saj ishte në depresion. Nëna e vajzës vinte pa këpucë veshur në burg dhe i sillte asaj patate të pabëra”, tregon Meri.

Mezini zbulon gjithashtu se si vajza i kishte kërkuar ndihmë që kur të dilte nga burgu, ta ndihmonte të gjente punë dhe të mos vidhte më. “U rehabilitua në një mënyrë të përsosur. Kishte vjedhur se i duheshin para për ilaçet e nënës. Ajo më kërkonte ndihmë pasi të dilte nga burgu.   Ishte kthyer nga Greqia në Tiranë dhe ishte në gjendje të rëndë ekonomike”, tha ajo.

Madje Meri u shpreh se nëse djali i saj do të dashurohej me atë vajzë, nuk do ta paragjykonte në asnjë moment. “Unë nuk do ta paragjykoja aspak djalin tim nëse do të dashurohej me një vajzë të tillë. Madje do të ndihesha shumë mirë”, tregoi Mezini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat