Opozita parlamentare ndryshon mendje, pragu zgjedhor të bëhet jo 5%, por 2%

Shqipëria

Opozita parlamentare ndryshon mendje, pragu zgjedhor të bëhet jo 5%, por 2%

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 12:33
Opozita parlamentare

Komisioni parlamentar i Ligjeve shtyu për në orën 18:00 mbledhjen e saj të parashikuar për t’u zhvilluar paraditen e së hënës. Shkak u bë ndryshimi i propozimit të opozitës paralamentare për pragun zgjedhor.

Në mbledhjen që u zhvillua me videokonferencë, deputeti Korab Lita paraqiti ripropozimin e opozitës, tashmë jo për të ngritur, por për të ulur pragun zgjedhor në 2 për qind.

Aktualisht me kodin zgjedhor pragu është 3 për qind, ndërsa më herët në propozimin e paraqitur për ndryshime të sistemit zgjedhor, opozita parlamentare kishte kërkuar që pragu të bëhej 5 për qind.

Në diskutimin e zhvilluar, ripropozimi i Litës u mbështet nga Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari.

Kërkesa për ulje të pragut në 2 për qind u konsiderua e paargumentuar si duhet nga shumica socialiste. Deputetja Klotilda Ferhati kërkoi që palët ta ridiskutojnë duke u konsultuar me ekspertët ndërsa propozimi i bërë të bëhej me shkrim.

Opozita parlamentare ka kushtëzuar votën pro reformës zgjedhore me propozimin e saj për ndryshime kushtetuese, ndryshime të cilat do të detyronin zgjedhje me lista të hapura kandidatësh, ndalesë koalicionesh parazgjedhore dhe prag zgjedhor 5 për qind.

Reforma zgjedhore u diskutua prej janarit të këtij viti jashtë parlamentit me një tryezë të përbashkët me partitë kryesore të vendit PS-PD-LSI sipas një marrëveshje të dakordësuar se ajo që do të arrihej nga kjo tryezë do të miratohej pa ndryshime në parlament.

Marrëveshja për reformën u arrit më pas më 5 qershor, por ajo nuk është miratuar në parlament, ku kërkohen minimalisht 84 vota.

Zyrtarisht Partia Socialiste ka 75 deputetë, ndërsa në parlamentin me vetëm 122 deputetë, 3 grupimet opozitare, të cilat kanë kundërshti ndaj marrëveshjes së 5 qershorit kanë 31 vota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat