Rama: Opozita nuk vë kushte, Basha ta harrojë se mund të na diktojë, në lojë 3 palë

Shqipëria

Rama: Opozita nuk vë kushte, Basha ta harrojë se mund të na diktojë, në lojë 3 palë

Më: 15 korrik 2020 Në ora: 17:40
Edi Rama

Pak orë pasi komisioni i ligjeve miratoi ndryshimet në kodin zgjedhor vetëm me votat e mazhorancës, Kryeministri Edi Rama në një komunikim me gazetarë kërkoi të tregojë se PS i përmbahet marrëveshjes së 5 qershorit.

“Komisioni i Ligjeve ka votuar fjalë për fjalë draftin e dakordësuar me opozitën jashtëparlamentare më 5 qershor. E kemi votuar me shumicë jo me konsensus se opozita joparlamentare refuzon të pranojë mosdepolitizimin e komisioneve të votimit dhe numërimit çka është lëshimi i madh i bërë nga PS jo me hirin e objektivave të vet por pahirin e një nevojë për ta përfshirë opozitën jashtëparlamentare në proces. Ndërkohë dje komisioni i ligjeve i ka hapur rrugë pjesëmarrjes së qytetarëve jo vetëm në zgjedhjen e partive por edhe dhënien e pëlqimit për deputeten apo deputetin.”

Rama nuk arrin t’i kuptojë reagimet e PD dhe të Presidentit Meta për ndryshimet Kushtetuese, ndërsa Ilir Metën e pozicionin në krah të opozitës.

“Nuk mendoj se parlamenti është shporta e qershive të Nastradinit, ashtu si nuk mendoj që Presidenti është Nastradini. Mendoj që në këtë pikë është e qartë që Presidenti është në opozitë, Presidenca është një seli e opozitës dhe kemi tre opozita në fakt, opozitën parlamentare, jashtëparlamentare dhe presidenciale por te kjo e fundit marrëdhënien e kemi institucionale.”

Ndryshe nga nismat e tjera, me ndryshimet kushtetuese, Kryeministri nuk e ka përkrahjen e ndërkombëtare dhe për këtë nuk i mbetet tjetër veçse të zhgënjehet për deklaratat e tyre,

“Gjermania është një pikë referimi e botës dhe e jona. Deklarimi i djeshëm i Wadephul ishte zhgënjyes në planin etik, i nxituar në planin institucional dhe i çbalancuar në planin politik.  Është mik shumë i mirë i Lulzim Bashës dhe një mik i mirë edhe i imi personalisht, kam një komunikim të vazhdueshëm me të dhe e çmoj shumë përkushtimin e  tij për të ndihmuar në lehtësimin e marrëdhënieve politike në Shqipëri.”

Kreu i mazhorancës mohon që marrëveshja e 5 qershorit është kusht për të shkuar drejt konferencës së parë ndërqeveritare.

“Nuk ka askund të shkruar që Shqipëria të bëjë marrëveshjen me Bashën apo partitë jashtë parlamentit për të bërë konferencën ndërqeveritare, as që Shqipëria ka kusht për të bërë marrëveshje me partitë jashtë parlamentit. Shqipëria është shtet sovran, që me vullnet të plotë dhe në funksion të ëndrrës së madhe dhe të mbështetjes më të madhe në Ballkan nga populli i vet, troket për të hyrë në BE.”

Për heqjen e koalicioneve dhe për ndërhyrjet në kushtetutë nxitimthi, Edi Rama gjen justifikim tek shprehja e Churchill.

“Nuk jam aq budalla sa të mos kuptoj që atë që shqiptarët e duan sot, PS-ja nuk mund ta refuzojë dhe pastaj të marrim ne koston. E gjitha lidhet me idenë dhe frikën, i gjithë atyre që e duan Shqipërinë se mos çmendet prapë grupimi i partive që janë jashtë për të bërë atë që bëri.”

Por si do të vepronte Edi Rama në të njëjtën situatë nëse do të ishte në pozicionin e Lulzim Bashës?

“Nëse unë do të isha Lulzim Basha, natyrisht nuk jam, dhe nuk është i detyruar të më dëgjojë, do të isha në vijimësi i interesuar për dialog, tryezë, marrëveshje, rimarrëveshje në proces dhe mund ta them këtë se unë kam qenë aty ku është Basha.”

Duke ju kujtuar ndërkombëtarëve që firmosën një marrëveshje duke lënë jashtë rekomandime të OSBE/ODIHE, kreu i PS u kujton aktorëve vendas dhe të huaj se nuk mund të marrë urdhër nga askush.

“Kërcënimi që o si themi ne, ose këtu bëhet nami nga partitë jashtëparlamentare nuk ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë. Kërcënimi se po nuk u bë kështu, ne do të bëjmë ashtu dhe pastaj bota do të thotë që këta nuk janë për Evropë jo vetëm që nuk funksionon në pikëpamje të politikës së brendshme por në planin kombëtar është një akt i dënueshëm dhe dënimin e jep populli me votë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat