Fluks shtrimesh në Infektiv, gati hapja e 2 spitaleve Covid-19

Shqipëria

Fluks shtrimesh në Infektiv, gati hapja e 2 spitaleve Covid-19

Më: 28 korrik 2020 Në ora: 15:39
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë ka nisur përgatitjet për hapjen e 2 spitaleve të reja Covid 19, të cilat do të trajtojnë pacientët me koronavirus.

Në një prononcim për gazetën “Shqip”, drejtori i qendrës kombëtare të Urgjencave, Skënder Brataj tha se aktualisht janë plotësuar me pajisje mjekësore të dyja godinat e caktuara për spitale Covid, godina e ish-kirurgjive në QSUT dhe një ambient tjetër jashtë Tiranës, në autostradë. Në total do të jenë katër spitale Covid.

Sipas skenarit të hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, hapja e spitaleve ishte menduar të kryhej në vjeshtë, me hyrjen në sezonin gripal të stinës, por rritja e numrit të pacientëve të hospitalizuar ka përshpejtuar përgatitjet.

Sipas kreut të Urgjencave, Brataj, për të dyja spitalet ka përfunduar kompletimi me pajisjet e duhura mjekësore dhe me stafin mjekësor të nevojshëm.

“Aktualisht ka nisur trajnimi i stafit mjekësor që do të shërbejë në të dyja spitalet dhe pritet hapja e tyre së shpejti”, tha doktor Brataj.

I pyetur për shërbimin e urgjencës, kreu i Qendrës Kombëtare të Urgjencave tha se shumë shpejt do të vihen në dispozicion të qytetarëve 2 ekipe lëvizëse të cilat do të ofrojnë shërbim mjekësor në banesë ose terapi intensive nëse do të jetë nevoja.

Shefi i Urgjencave tha se aktualisht në terren punojnë 127 ambulanca prej të cilave 11 vetëm në qarkun Tiranë, 9 në qytet dhe 2 ambulanca në shërbim për pacientët me Covid.

Por si përzgjidhen pacientët që kanë nevojë urgjente për shërbimin e ekipit mjekësor të specializuar të Urgjencës?

Doktor Brataj thotë se çdo pacient që telefonon në numrin jeshil “127” duhet t’i përgjigjet një radhë pyetjesh të mjekëve që qëndrojnë pas linjës, për çdo simptomë që ata dyshojnë se lidhet me praninë e virusit Covid-19 në organizëm.

 “Janë 4-5 mjekë në turn që bëjnë vlerësimin e sëmundjes covid. Sipas përgjigjes së pacientëve ata gjykojnë nëse pacienti ka nevojë për terapi kur ka forma të lehta të sëmundjes ose për kryerjen e tamponit. Më pas brenda ditës i dërgohet mesazhi për tampon njësive vendore dhe ata telefonojnë epidemiologun e zonës ku i dërgohen të dhënat e sakta të pacientit që duhet ti kryhet tamponi, adresa e banimit.

Janë epidemiologët ata që dërgojnë të dhënat në ISHP. Nga ana tjetër, ekipi i urgjencës njofton dhe mjekun e familjes i cili ndjek e monitoron ecurinë e sëmundjes së pacientit. Në rast se ai përkeqësohet i dërgohet ekipi i specializuar në banesë”, thekson Brataj.

Në qendrën kombëtare të Urgjencave numri ditor i telefonatave është rreth 2500, ndërkohë që në muajin mars ky numër ishte rreth 10-15 mijë thirrje në 24 orë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat