PD drejt listës zgjedhore pa LSI, Basha mbledh sot organet drejtuese

Shqipëria

PD drejt listës zgjedhore pa LSI, Basha mbledh sot organet drejtuese

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 08:01
Partia Demokratike

Partia Demokratike nis sot procedurat e verifikimit të kandidatëve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Degët kanë propozuar me qindra emra deri më tani, por pjesa dërrmuese duhet të s’kualifikohet. Kreu demokrat Lulzim Basha do të mbledhë sot forumet drejtuese për ngritjen e Komisionit për Vlerësimin e Kandidatëve. Ky veprim vjen në një kohë kur ndryshimet kushtetuese u miratuan dhe palët duhet të vendosin nëse do të shkojnë me listë të përbashkët në zgjedhje apo vetëm me kandidatët e vet. Fakti që PD këmbënguli tek përzgjedhja e kandidatëve të saj, është një tjetër tregues se mund të mos ketë një listë të përbashkët mes PD dhe LSI. Vetë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka shmangur këtë çështje nëpër intervista, por sipas informacioneve PD dhe LSI pritet të shkojnë të ndarë në zgjedhje.

Verifikimi i kandidatëve

Komisioni i Vlerësimit, që do të mblidhet sot për të vlerësuar kandidatët e propozuar, do të ketë 5 persona në përbërjen e tij dhe do të asistohet nga Sekretariati ndihmës i Komisionit i përbërë nga dy persona. Ky komision do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë. Sipas informacioneve në krye të Komisionit të Vlerësimit do të jetë Genc Ruli, ndërkohë që Besnik Mustafaj do të jetë një tjetër anëtar i këtij komisioni që do të marrë vendimin në lidhje me përzgjedhjen e kandidatëve. Besnik Mustafaj është një nga emrat e rikthyer në parti, kështu që mund të ndodhë që t’u jepet prioritet emrave të vjetër që kandidojnë. Pritet që muaji Gusht të jetë aktiv për Partinë Demokratike, e cila është e para që ka nisur me përzgjedhjen e kandidatëve. Blutë do të vijojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, finalizimin e programit qeverisës dhe përgatitjes së strukturave për zgjedhje.

Modeli konservator

Partia Demokratike ka asistuar modelin konservator britanik, i cili sëbashku me republikanët amerikanë dhe CDU e Angela Merkel, u votua në Kuvendin Kombëtar të demokratëve në ndryshimet statuore. Partia Demokratike e Shqipërisë ka bërë të ditur me anë të një njoftimit për shtyp se, është ndihmuar në lidhje me këtë model, nga Instituti Republikan Amerikan IRI, konservatorët britanikë, CDU dhe forcat politike të PPE. PD thekson në këtë njoftim se, të gjithë bashkë kanë investuar për ta shndërruar PD në model të demokratizimit të forcave politike për gjithë rajonin. Më tej demokratët sqarojnë se, Komisioni i Vlerësimit është konceptuar që të ketë në përbërje jo vetëm ish-drejtues të lartë të PD, por edhe personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike, etj., por nuk zbulon emrat. Komisioni është ideuar si i tillë, që të bëjë vlerësimin e çdo kandidati dhe të analizojë të gjitha karakteristikat e një kandidati të propozuar, nëse përmbush apo jo kriteret e parashikuara me detaje në udhëzimin për funksionimin e procesit. “Korpusi i njerëzve me influencë, me mbështetje, me aftësi në fusha të ndryshme, që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike. Nga procesi 6 javor i propozimit të emrave, janë identifikuar një numër i lartë kandidatësh në të 12 qarqet, ku bien në sy se, krahas emrave të njohur, ka shumë emra jashtë strukturave të partisë, kryesisht nga bota akademike dhe shoqëria civile. Interesi i demokratëve është identifikimi dhe përzgjedhja e ekipit më të mirë për të fituar zgjedhjet parlamentare dhe formuar qeverinë e re”, mbyll njoftimin Partia Demokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat