Rritja e masave kundër COVID-19, Manastirliu: Të angazhuar për rritjen e mbulesës vaksinale

Shqipëria

Rritja e masave kundër COVID-19, Manastirliu: Të angazhuar për rritjen e mbulesës vaksinale

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 13:05
Foto ilustrim

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u shpreh se autoritetet po marrin të gjitha masat për të përballuar situatën gjatë stinës së vjeshtës dhe të dimrit. Ajo tha se po punohet maksimalisht për të siguruar vaksinimin falas kundër gripit, për kategoritë e shoqërisë, të cilat janë me të ekspozuara ndaj gripit stinor. 

“Programi i kontrollit, i cili parashikon vaksinimin ndaj gripit është pjesë e strategjisë tonë, për të përballuar situatën e shkaktuar nga Covid19. Deri tani sipas përllogaritjeve për mbulesën vaksinale të shtuar, kemi bërë porosinë e serisë së parë të vaksinave dhe ndërkohë që vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina përsa i përket situatës që do të përballemi gjatë muajve tetor-dhjetor e në vijim”, tha Manastirliu.

Teksa inspektoi zinxhirin ftohës për ruajtjen e vaksinave në IShP, Manastirliu tregoi se, sipas strategjisë dhe planit të veprimit po forcohen kapacitetet e testimit dhe paralelisht po rriten kapacitetet përsa i përket programit të vaksinimit.

“Po përgatitemi për të vijuar përballjen me epideminë e Covid, që sipas strategjisë dhe planit të veprimit aktiv që ne kemi aktualisht, jemi duke forcuar kapacitetet e testimit, gjurmimit, hetimit epidemiologjik, kapaciteteve të spitaleve. Ndërkohë që ne përgatitemi dhe vijojmë të fuqizojmë kapacitetet tona përsa i përket situatës së Covid19, vijojmë të rrisim edhe kapacitetet tona përsa i përket edhe programeve për vaksinimin e sigurt, siç është programi i vaksinimit ndaj gripit për grupet e riskuara dhe rritjen e mbulesës vaksinale”, tha Ministrja.

Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se gjatë kësaj periudhe është kryer vlerësimi i kategorive që duhet të vaksinohen ndaj gripit, dhe që njëkohësisht sipas evidencave, janë më të prekshëm nga COVID-19.

 “Ne kemi bërë vlerësimin dhe rivlerësimin e kategorive të riskut, të cilat janë të rëndësishme për vaksinimin ndaj gripit dhe njëkohësisht janë subjekte të cilat janë dhe më të prekshme nga Covid19. Për shembull, personat me sëmundje kronike, natyrisht punonjësit shëndetësorë, mësuesit dhe të gjithë kujdestarët të cilët kujdesen për fëmijët si dhe fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç, sepse ata transmetojnë më shumë gripin. Shpresojmë të kemi një situatë më të mirë të kontrollit të gripit, gjë e cila do të na ndihmojnë edhe për Covid19”, theksoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat