U vetëvar me lidhësen e tutave në qelitë e policisë, familjarët ngrenë dyshime: Na erdhi si bombë

Shqipëria

U vetëvar me lidhësen e tutave në qelitë e policisë, familjarët ngrenë dyshime: Na erdhi si bombë

Më: 3 gusht 2020 Në ora: 20:37
Familja Tuci me origjinë nga Fani i Mirditës, prej shumë vitesh jetonte me qira në Durrës

Vetëvarja e 52-vjeçarit Tonin Tuci në ambientet e paraburgimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës ka ngritur shumë dyshime te familjarët e Tucit, i cili u përcoll sot për në banesën e fundit.

Të bindura që vëllai i tyre nuk ka bërë vetëvarje me lidhësen e tutave, motrat e tij apelojnë për drejtësi, ndërsa bashkëshortja tregon orët e fundit me Toninin, që nga sherri me të, ndërhyrja e policisë për të shmangur acarimin e mëtejshëm të situatës në familje dhe njoftimi që mori për vdekjen e tij.

”Nga puna erdha në shtëpi. Ishte i acaruar nën efektin e alkolit dhe për të eliminuar një sherr të mundshëm në shtëpi njoftova policinë se nuk po e qetësoja dot. Kur shkova në polici, shefi që ishte në shërbim më thotë të marr urdhër mbrojtjeje, por i thashë jo se nuk dua ta hedh burrin në rrugë.

I kërkova që vetëm ta mbajë në polici e të qetësohet për disa orë e të vijë në shtëpi. Dhe pse më kërkoi disa herë nuk pranova. Lamë të dhënat tona, numër telefoni dhe u larguam. Në momentin që jam larguar, rreth orës 6 të pasdites, burri im ishte ulur në stolat e hyrjes kryesore të policisë. E lashë në dorë të policisë. Unë e çova për ta mbrojt, jo për ta dhunuar se e keqja do kishte ndodh në shtëpi.”, thotë bashkëshortja.

Familja Tuci me origjinë nga Fani i Mirditës, prej shumë vitesh jetonte me qira në Durrës. I papunë, Tonin Tuci kishte krijuar varësi ndaj alkolit dhe rritur tensionet brenda familjes. Edhe një vit më parë Liza kishte kërkuar ndihmën e policisë, por pa e kallëzuar penalisht për dhunë në familje babain e dy djemve të saj, pasi e donte pavarësisht problemeve që kishte me të në familje. Teksa dilte nga policia e Durrësit bashkë me të birin, pas dhënies së deklarimeve, e ka parë të gjallë dhe të ulur në stol Toninin.

“Unë e doja burrin tim, pavarësisht se ai pinte vazhdimisht. Në orën 11.00 të natës, ndërsa unë prisja të vinte burri në shtëpi më morën në telefon e më kërkuan të dal e të jap një deklaratë të dytë. Pse? Jo i them. Nuk dal në rrugë, eja në shtëpi. Përpara kësaj e pyes: Si është Tonini? Mirë më tha, po kur vjen në shtëpi më thotë: Të rrojnë çunat se Tonini ka vdek. Unë s’mund ta besoja. E vërtëta është kjo, si e kamuflojnë ngjarjen është punë e tyre. E ka drejtësia në dorë. Ai donte alkolin, po jo të vriste veten.”

Nën dhembje dhe hidhërim për humbjen e parakohshme, motrat e 52-vjeçarit hedhin dyshime mbi fundin e trishtë të vëllait të tyre dhe apelojnë që të zbardhet sa më shpejt e vërteta dhe të bëhet drejtësi.

‘Ai nuk ka pas asnjë arsye me var veten. Na ka ardh bombë. Ai ka pas pi, po ka qenë shumë i dashur, i respektueshëm. Nuk e di si ka ndodh ngjarja tamam. Si motër kam qejf që të dalë e drejta në pah, sepse 52 vjeç”.

”Asnjëherë s’ka tentu të vrasë veten. Pse e vrau në qeli?! Ju, si polici e shtetit pse nuk e mbrojtët? Ajo e çoi për ta mbrojtur, për të mos krijuar sherr në familje te Policia e Shtetit dhe kjo e vrau. Vëllai im nuk ka vrarë veten. Vëllain tim e kanë vrarë. E kanë godit. Pse s’e ruajte, po e le të vriste veten me një fije llastik?!”

Ndërsa vijon hetimi penal për ”Shpërdorim detyre” dhe hetimi disiplinor ndaj dy punonjësve të policisë për zbatimin e procedurave standarde dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, familjarët e Tucit kërkojnë që çështja të hetohet edhe nga Avokati i Popullit për të zbardhur shkeljet dhe ngjarjen e rëndë që çoi në vdekjen e 52-vjeçarit në paraburgimin e Durrësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat