Covid-19 prek 10 infermierë dhe një mjek brenda javës tek “Shefqet Ndroqi”

Shqipëria

Covid-19 prek 10 infermierë dhe një mjek brenda javës tek “Shefqet Ndroqi”

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 17:50
Mjeket

Brenda një jave, 10 infermierë dhe një mjek të spitalit “Shefqet Ndroqi” janë infektuar në vendin e punës nga virusi covid.

Burime pranë gazetës “Shqip” konfirmuan se 10 infermierët dhe mjeku janë pjesë e ekipit të spitalit që prej periudhës kur u shndërrua në spital covid, që po përballon një fluks të lartë shtrimesh.

Ekipi mjekësor punon në kushte tejet të vështira, me orare të zgjatura dhe me numër të vogël personeli pasi një mjek shërben rreth 18-20 pacientë.

Të ndodhur në këto kushte, rreziku i infektimit ka qenë mjaft i lartë ccka ka vënë në rrezik jetën e personelit mjekësor.

Një prej mjekëve të infektuar është mjeku anestezist Alban Hatibi i cili u shtrua javën e shkuar në gjendje të rëndë në spitalin ku shërben vetë, për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

Vënia në rrezik e personelit shëndetësor nuk është e duhura pasi në mungesë të stafit mjekësor, shërbimi ndaj pacientit është i cunguar e për më tepër vë në rrezik dhe jetën e tij.

Në këto kushte, kur pandemia po merr përmasa të frikshme, me 150 raste të reja çdo ditë dhe numër të lartë viktimash, e vetmja mënyrë është shtimi i kapaciteteve të terapisë intensive, e cila do të çlironte të dyja spitalet Covid dhe do të lejonte stafin mjekësor të ofronte shërbim cilësor për pacientin,

Por siç duket, jo vetëm pacienti që preket nga koronavirusi, por dhe mjeku nuk e ka në dorë jetën pasi mungesa e kushteve në spital cenon dhe kujdesin shëndetësor për të dyja palët. E në këto raste kur jetët e humbura tek bluzat e bardha në Shqipëri deri tani numërohen 3, frika se ky numër mund të rritet bën që shumë mjekë e infermierë të jetojnë me ankthin e infektimit dhe rrezikimit të jetës në vendin e punës. Deri kur kështu?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat