Denoncimet e qytetarëve për pacientët që ndërrojnë jetë në spital, Pëllumb Pipero tregon si qëndron e vërteta

Shqipëria

Denoncimet e qytetarëve për pacientët që ndërrojnë jetë në spital, Pëllumb Pipero tregon si qëndron e vërteta

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 21:23
Pëllumb Pipero

Mjeku i njohur infeksionist Pëllumb Pipero i ftuar në A2 foli për zhvillimet më të fundit në vend për shkak të koronavirusit.

Lidhur me denoncimet e ditëve të fundit për mungesën e informacionit për familjarët e pacientëve me Covid dhe mungesën e informacionit, Pipero tha se diçka e tillë nuk ekziston pasi mjekët e kanë detyrim t’iu tregojnë atyre për gjendjen e të afërmve të tyre.

“Nuk ka mungesë transparence. Informimi i qytetarëve për pandeminë dhe informacioni i familjarëve për personat e shtruar është detyrim dhe duhet ta ushtrojmë të gjithë. Familjarët e kanë marrë informacionin nga të gjithë mjekët herë pas here. Fotot e sotme janë një moment i shkëputur. Por të gjithë ne e kemi obligim për të njoftuar familjarët pasi kemi një protokoll si e gjithë bota”, u shpreh Pipero.

Për sa i përket raportimeve se disa pacientë kanë hyrë në gjendje më të mirë shëndetësore në spital, por më pas kanë ndërruar jetë, mjeku infeksionist u shpreh se virusi ka ende shumë të panjohura dhe se shumica e të sëmurëve përkeqësohen pas javës së parë.

“Jo të gjithë të sëmurët vijnë në spital në të njëjtën gjendje shëndetësore. Është një sëmundje me shumë të panjohura, shumë tinëzare. Shumë vijnë me këmbët e tyre në spital, por rëndohen pas një jave jo sepse janë të përjashtuar. Situata mund të rëndohet edhe në mjekim dhe në kujdes intensiv. Është diçka që nuk varet nga ne . Është një përgjigje e organizmit të njeriut dhe jo në të gjitha rastet ajo është njësoj. Duhet të jemi të përgatitur për këtë gjë”, tha Pipero.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat