E goditën 27 herë me thikë, kapen autorët e vrasjes së Regis Runaj në Elbasan, të njëjtët ekzekutuan edhe Emiljano Ramazanin

Shqipëria

E goditën 27 herë me thikë, kapen autorët e vrasjes së Regis Runaj në Elbasan, të njëjtët ekzekutuan edhe Emiljano Ramazanin

Më: 8 gusht 2020 Në ora: 16:59
Regis Runaj

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 29.07.2020 ne Elbasan ku mbeti i vrarë shtetasi Regis Runaj.

Sipas policise për vrasjen e të tij janë vënë nën pranga 2 autorët, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili.

Keta persona ka dyshime se jane perfshire edhe ne vrasjen e shtetasit Emiljano Ramazani, ngjarje te ndodhura ne te njejten dite.

Dyshohet se keta persona jane vrases me pagese.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Departamenti i Policisë Krimnale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, pas një pune intensive hetimore 10-ditore, zbuluan dhe dokumentuan me prova ligjore ngjarjen e ndodhur në datën 29 korrik 2020, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan, ku mbeti i vrarë me armë të ftohtë shtetasi R. R.

Si rezultat, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me FNSH dhe RENEA-n, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shkumbini”, bënë të mundur kapjen dhe prangosjen e dy shtetasve, si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht:

Xh. H., 29 vjeç dhe E. H., 23 vjeç, të dy banues në Elbasan.

Nga veprimet hetimore dhe profesionale të kryera ka rezultuar se viktima R. R., mbrëmjen e ngjarjes ka qenë në shoqërinë e dy autorëve të dyshuar dhe pasi kanë konsumuar lëndë narkoitke, në një park në afrësi të varrezave të qytetit, janë drejtuar për në qytetin e Elbasanit.

Në afërsi të varrezave, shtetasi E. H. e ka goditur shtetasin R. R., një herë me thikë nga mbrapa shpinës dhe më pas e ka goditur edhe 26 herë të tjera duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Gjatë periudhës hetimore, nga grupi hetimor janë gjetur dhe sekuestruar prova shkencore që provojnë autorësinë e kësaj ngjarjeje.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një motomjet, në të cilin u gjetën njolla gjaku, të cilat pas egzaminimit në laboratorin shkencor rezultuan se i përkasin viktimës, si dhe një shumë eurosh dhe prova të tjera ligjore.

Nga hetimet intensive ka rezultar se këta dy shtetas janë të përfshirë edhe në vrasjen e shtetasit E. R., ndodhur më datë 20 korrik 2020 në qytetin e Elbasanit, pasi nga provat e grumbulluara rezulton se të dy këta shtetas kanë ndjekur dhe kontrolluar lëvizjet e viktimës.

Po nga hetimet rezulton se këta shtetas, këto ngjarje i kanë kryer kundrejt pagesës nga persona të tjerë, për të cilët vijon puna intensive për dokumentimin me prova ligjore, kapjen dhe arrestimin e tyre.

Vijon puna intensive, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për sqarimin e mëtejshëm, si dhe për kapjen e arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në të gjithë territorin e qarkut. Me grupe hetimore të dedikuara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po punon për zbardhjen edhe të ngjarjeve të tjera të ndodhura.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të informojnë në numrin 1122 dhe Komsiariatin Dixhital për çdo paligjshmëri dhe informacion në lidhje me autorët e përfshirë në ngjarje kriminale, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanashëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat