SPAK alarmon partinë e presidentit, LSI sulme e akuza ndaj prokurorëve specialë

Shqipëria

SPAK alarmon partinë e presidentit, LSI sulme e akuza ndaj prokurorëve specialë

Më: 10 gusht 2020 Në ora: 07:54
Petrit Vasili

Partia më e trembur nga reforma në drejtësi duket se është Lëvizja Socialiste për Integrim. Edhe pse të premten ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim bëri thirrje për vetëpërmbajte dhe kërkoi të respektohet Struktura e Posaçme Kundër Korrupsion dhe Krimit të Organizuar, kjo parti ka shtuar dozën e sulmeve ndaj organeve të reja të drejtësisë. Ka qenë nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale “kërcënoi” dje SPAK-un, ndërsa i bëri thirrje që të dërgojë pas hekurave qeveritarët për krim ekonomik.

Reagimi i fortë i Vasili vjen pasi siç edhe theksoi ai, niveli i borxhit publik është në shifra të frikshme dhe rrënuese. “SPAK të dërgojë pas hekurave qeveritarët për krimin ekonomik kolosal të borxhit publik! Çfarë presin më? Që katastrofa ekonomike të shkatërrojë gjithçka. A ka ndokush ndonjë dilemë se kjo qeveri mund të ndalë katastrofën? A ka dyshim ndonjë se qeveria vetëm rëndon e thellon ajo vetë krizën? A ka ndokush pikëpyetje se korrupsioni shkatërrimtar, koncesionet dhe pastrimi i parasë i kësaj qeverie na shtyn vetëm drejt greminës ekonomike? A ka më ndonjë që e vë ne dyshim rritjen katastrofike të borxhit publik për shkak të menaxhimit kriminal të krizës nga qeveria? A ka ndonjëri mundësi të mohojë batërdinë me tendera korruptive edhe në kohën e pandemisë? A ka ndonjë që ka kurajo qe të mohojë menaxhimin skandaloz të Pandemisë që jo vetëm amplifikoi pandeminë mjekësore, por shkaktoi edhe Pandeminë aktuale ekonomike? Sot niveli i borxhit publik është në shifra të frikshme dhe rrënuese”, deklaroi ai.

Më tej, ish-deputeti i LSI Vasili u shpreh në rrjetet sociale se tani gjithçka është e qartë se kjo qeveri rriti borxhin publik sepse nuk di të menaxhojë krizën. “Borxhi e ka kaluar me kohë 90% dhe ai nuk deklarohet, fshihet dhe shpërdorohet në mënyrë kriminale nga qeveria dhe kryeministri i rilindjes. Përgjegjësia për këtë situatë bie vetëm mbi qeverinë dhe Edi Ramën”, u shpreh ai.

SPAK do mbajë përgjegjësi penale

Por revanshi dhe ofensiva e nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsion dhe Krimit të Organizuar nuk ndalon këtu. Zoti Vasili i qartë dhe i drejtpërdrejtë i kërkoi SPAK-ut, që të dërgojë pas hekurave qeveritarët për atë që e quan krim ekonomik apokaliptik dhe të mos merret me komisionerë të vdekur që akuzohen për krime zgjedhore. Madje, ish-deputeti i LSI shkoi më tej kur tha se SPAK do mbajë përgjegjësi penale nëse, sipas tij, do të heshtë përpara kësaj masakre ekonomike. “Ç’pret SPAK që nuk lëviz për këtë krim ekonomik të përmasave kolosale që përfaqëson borxhi publik dhe që mund të kolapsojë vendin brenda pak ditësh? Hetimi dhe nxjerrja e përgjegjësive penale për borxhin publik sot është mision kombëtar. SPAK nuk mund të fshihet më pas arrestimit të komisionerëve të vdekur, por duhet t’i kthehet detyrës, ndryshe shndërrohet në bashkëfajtor dhe do të ulet një dite në bankën e të akuzuarve bashkë me ish-qeverinë rilindase”, nënvizoi ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat