Pesë humbje jete nga koronavirusi në Shqipëri, dy prej tyre pa sëmundje të tjera. Rekord rastesh të reja

Shqipëria

Pesë humbje jete nga koronavirusi në Shqipëri, dy prej tyre pa sëmundje të tjera. Rekord rastesh të reja

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 16:11
Ilustrim

Pesë pacientë me koronavirus kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Shqetësues është fakti se dy prej tyre nuk kanë pasur sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 46-vjeçar nga Gjirokastra pa sëmundje të tjera, një 48-vjeçar nga Tirana pa sëmundje të tjera, një 70-vjeçar nga Durrësi me sëmundje bashkëshoqëruese, një 81-vjeçar dhe një 84-vjeçar, të dy nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese, tha Dr. Rovena Daja, nga Instituti i Shëndetit Publik

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 603 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ndërsa 140 persona janë konfirmuar pozitivë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 72 raste në Tiranë, 14 në Kavajë, 12 në Fier, 10 në Kamëz, 6 në Kukës, nga 4 raste në Krujë, Kurbin, Mirditë, nga 2 raste në Shkodër, Korçë, Elbasan, Tepelenë, Bulqizë, nga 1 rast në Durrës, Lezhë, Lushnje, Vlorë.

Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 124 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 18 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 101 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3480, që nga fillimi i epidemisë.

Mjekët e familjes në të gjithë vendin po monitorojnë çdo ditë personat aktivë me Covid19, që janë të izoluar në banesë.

Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat