'Kemi më pak vdekje së në 2019'/ Alimehmeti: Shqipëria me pozitivitet 22%, ja si të kuptoni se jeni me COVID-19 - Bota Sot
'Kemi më pak vdekje së në 2019'/ Alimehmeti: Shqipëria me pozitivitet 22%, ja si të kuptoni se jeni me COVID-19

Shqipëria

'Kemi më pak vdekje së në 2019'/ Alimehmeti: Shqipëria me pozitivitet 22%, ja si të kuptoni se jeni me COVID-19

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 21:45
Mjeku Ilir Alimehmeti

Mjeku Ilir Alimehmeti në një intervistë së fundmi u shpreh se Covid-19 nuk është shkaku i parë i vdekjeve në vendin tonë. Ai tha se 600-700 shtrimet në vit nga Covid përbëjnë vetëm 0.5% të gjithë totalit të shtrimeve në vend.

Ndërsa referuar rritjes së rasteve, në Ora News mjeku Alimehmeti u shpreh se kjo ka lidhje me rritjen e numrit të testimeve. Alimehmeti shtoi se raporti mes testimeve dhe rasteve të reja duhet ulur në 10% duke qenë se vendi ynë e ka 22%.

"Covid-19 nuk është shkaku i parë i vdekjeve në vendin tonë. Po ashtu, kemi vdekje në shtëpi dhe nuk raportohen si vdekje Covid. Kemi një ulje të vdekjeve krahasuar me vitin 2019 me 3%. Nuk ka pasur një incidencë Covid-i në tremujorët e dytë. Jemi duke parë vetëm një spektër të vogël të vdekjeve në Shqipëri dhe duke harruar vdekjet për shkak të sëmundjeve të tjera. Kemi 600 ose 700 shtrime në gjithë vitin me Covid dhe 116 mijë me sëmundje të tjera. Pra Covid-i për 0.5% të problematikës spitalore.

Ekziston një rritje e numrit të rasteve, por është rritur edhe numri i testeve. Kemi një raport diku te 21-22 % pozitiviteti. Pra, nëse bëjmë më shumë teste do të kemi më shumë raste. Këtë shifër ne duhet ta ulim nën shifrën 10 % ashtu sikurse është rekomanduar nga OBSH. Popullata nuk është e trajnuar për përdorimin e maskës ose nuk përdor të duhurën. Kur përdoret maska, harrohet masa e distancimit personal duke i ngjitur njerëzit me njëri-tjetrin. Keqpërdorimi i saj kthehet në risk. Jeta nuk është laborator, sepse aty funksionin maska", shprehet Ilir Alimehmeti.

Alimehmeti theksoi se janë bërë investime vetëm në spitalet Covid në kryeqytet dhe jo në ato rajonale.

"Ne kemi investuar vetëm në spitalet Covid në kryeqytet, por në spitalet rajonale nuk ka pasur thuajse investim. Italia ka pasur spitale rajonale gati. Duke çuar raste atje spitalin Nënë Tereza mund ta kishim mbajtur të pastër, por nga ana tjetër personeli në këto spitale është më pak i aftë. Është e nevojshme që të trajnohen spitalet rajonale dhe të ecin në këtë drejtim. Kemi shumë rekomandime të ndryshme që mund të ishin bërë, por nuk u bënë dhe prandaj jemi në këtë situatë sot", tha ai.

Referuar saktësisë së tamponit, Alimehmeti tha se ka një saktësi 70% dhe se rastet që dalin negative, por kanë gjendje klinike të shprehur janë Covid.

"Tamponi ka një sensitivitet rreth 70 %. Ky është një test screenimi dhe rezultatin e vendos diagnoza. Nëse dikush ka një test negativ, por një gjendje klinike të shprehur atëherë me Covid është, nuk është se ka një ndryshim. Nuk është tamponi që ta jep rezultatin, por mjeku që vë vulën. Pra, kur një person ka shenja klinike si mungesë frymëmarrje dhe temperaturë, Covid është sepse nuk ka virozë të tjera vërdallë. Në këto raste duhet izolim në shtëpi", deklaroi Alimehmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat