Marrëveshja e Uashingtonit, Milo: Nuk është historike, por fillim i mbarë për negocimin e njohjes së Kosovës

Shqipëria

Marrëveshja e Uashingtonit, Milo: Nuk është historike, por fillim i mbarë për negocimin e njohjes së Kosovës

Më: 7 shtator 2020 Në ora: 13:33
Paskal Milo

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo tha për Euronews Albania se marrëveshja e nënshkruar në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme dhe shënon hapin e parë të një rruge të gjatë që mund të çonte në njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë.

Por ajo sipas tij, nuk mund të konsiderohet historike kur Vuçiç është shprehur se ka detyruar si Kosovën ashtu dhe SHBA-në të heqin dorë nga pika 10, për njohjen e Kosovës.

“Për mua, nga këndvështrimi si analist, si ish-ministër i Jashtëm dhe njohës i teknikave të negocimit, dokumenti  mund të them se është një marrëveshje e rëndësishme, që shënon një hap në rrugën e gjatë të përfundimit të një marrëveshjeje që do të çonte në njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Në momentin kur do të kemi një marrëveshje ku do të ketë një njohje reciproke të detyrueshme të Kosovës dhe Serbisë, atëherë mund të vlerësohet një marrëveshje historike. Marrëveshja në Uashington ishte një marrëveshje e mirë, por vetëm një hap në rrugën e gjatë të asaj që mund të quhet marrëveshje historike... Potenciali i SHBA dhe fjala e tyre është me shumë peshë në përcaktimin e ngjarjeve dhe zgjidhjen e tyre. Iniciativa e presidentit Trump përtej interesave që ai ka ishte vërtetë inkurajuese dhe e ndihmoi procesin”, - tha z. Milo.

Nga ana tjetër ajo çfarë ish-ministri i Jashtëm konsideron vërtetë lajm të mirë është njohja e Kosovës nga Izraeli, një shtet me potencial, ndërkohë që kishte filluar një proces i kundërt i çnjohjes nga ana e Serbisë.

“Thjesht ulja e dy përfaqësuesve të lartë të Kosovës dhe Serbisë mund të konsiderohet një fillim i mbarë i një negociate për atë që duhet të ndodhë, që është njohja e Kosovës por kjo nuk mund të jetë e parashikueshme”, u shpreh z. Milo.

I pyetur rreth mendimit të tij për çështjen e liqenit të Ujmanit, z. Milo the se ky është një liqen që ka shtrirje ne të dyja vendet.

“I takon Kosovës të thotë fjalën kryesore, sepse ka 90% të pjesës a më shumë, por sidoqoftë është një kompromis që duhet arritur me Serbinë në mënyrë që dhe ky shtet të shfrytëzojë atë hapësirë që zotëron”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat