“Nxënësit duan shpresë, jo lamtumirë”, Rudina Xhunga: Besa Shahini duhet të ikë që nesër

Shqipëria

“Nxënësit duan shpresë, jo lamtumirë”, Rudina Xhunga: Besa Shahini duhet të ikë që nesër

Më: 9 shtator 2020 Në ora: 18:48
Rudina Xhunga

Gazetarja Rudina Xhunga analizoi zhvillimet e fundit në vend në rubrikën “Opinion”, në Neës24. Xhunga u ndal te rihapja e shkollave më 14 shtator, duke thënë se ky është një vendim me risk, por që duhej marrë.

“Ideja është se shkollat nuk do të mbyllen, kjo është qartësuar në të gjithë botën. Këtu ndodh ajo që ndodh dhe në botë, nuk bëhet asgjë me kokë të vet. Fëmijët duhet të shkojnë në shkollë, është një risk që duhet marrë. Nuk kemi pse të dëgjojmë ministren Shahini se çfarë duhet të bëjnë fëmijët tanë, por mjekët. Mua më japin siguri mjekët. Unë dëgjoj mjekët. Nuk duhet të ketë turp nga virusi. Kujdes po, turp jo.”, tha Xhunga.

Më tej, gazetarja u ndal te zhvillimet politike dhe kryesisht fushata elektorale, duke deklaruar se ajo duhet të jetë pozitive dhe me kauzë. Sa i takon deklaratës së ministres së Arsimit, Besa Shahini, se do të largohet nga Shqipëria në fund të mandatit, gazetarja tha se Besa Shahini duhet të ikë që nesër, jo pas fushatës.

“Ka shumë ministra që janë të panjohur, derisa bëhen ministra. Unë e kam pëlqyer paraqitjen e ministres Shahini. Nuk di të them çfarë ka bërë për arsimin më shumë sesa bëri Lindita Nikolla, apo Genc Pollo, por më ka pëlqyer mënyra e saj e të qenit joprotagoniste, jobërtitëse, me këpucë të sheshta ne qeverisje. Nuk më pëlqeu mënyra sesi tha që do të largohet, pasi tani fëmijët nisin shkollën. Nuk jam për të thënë: “Besa preu në besë PS-në!” Nuk më pëlqejnë këto patetizmat, por mund të zgjidhte një mënyrë më elegante, ta bënte kur t’i vinte koha. Tani të ishte në krye të detyrës. Është mirë që në të tilla momente, kur fillon viti arsimor ministrja e Arsimit të kishte fjalë të tjera për fëmijët dhe jo: “Unë do të iki sepse do të mendoj për familjen time!”.

Në momente të tilla ka një familje të përbashkët, është shkolla. Familja e përbashkët e fëmijëve që po shkojnë në shkollë në kushte të pazakonta, në një vit të pazakontë. Siç ka thënë edhe doktor Anthony Fauci, një herë në 100 vjet ndodh kjo pandemi. E pra një herë në 100 vjet ndodh që fëmijët të nisnin një sezon të tillë. Kështu që ministrja Shahini kishte shansin që të ishte ajo një herë në 100 vjet që t’u thoshte një fjalë fëmijëve të këtij vendi. Ndërsa ajo zgjodhi t’u thotë: “Do të iki.” Të jetë për mua ajo duhet të ikë që nesër. Nuk duhet të vazhdojë. Duhet të jetë një njeri tjetër që të flasë për fëmijët e këtij vendi dhe t’i japë mesazhin si ministër Arsimi i një viti të jashtëzakonshëm shkollor.”, tha Xhunga.

Ndërsa pyetjes se a duhet të ketë lëvizje në qeveri, gazetarja iu përgjigj:

“Nuk di të them, pasi është një vendim i kryeministrit. Rama është i qartë që ai do të drejtojë fushatën dhe do të kërkojë mandatin e tretë, apo më saktë mandatin deri në 2030-ën. Rama po kërkon një mandat të 3-të për të drejtuar vendin. Nga ana tjetër, PD-ja duhet të ndajë mendjen se me kë do të përfaqësohet dhe fare po kërkon. Duhet ndarë mendja kush po vjen, Berisha apo Basha.

Berisha ka bërë një fushatë fantastike, në 2005-ën, sepse solli njerëz të rinj, mes të cilëve edhe Bashën. Por tani duhet të dimë se kush përfaqëson PD-në. Ajo që do të uroja është që fushata që po vjen, të vijë pozitive. Nuk mund të vazhdohet me fushata agresive dhe pa asnjë kauzë. Shqiptarët kanë nevojë të dinë çfarë do të bëhet me rrugët e tyre, me drejtësinë, me arsimi, me nevojat elementare që të bëjnë të jetosh një jetë dinjitoze në vend. Shqiptarët meritojnë duan një fushatë pozitive.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat