“Të gjitha partitë po bëjnë lojë të pisët!”, VV e ashpër pas propozimeve të PS për Kodin Zgjedhor: Po deformojnë votën

Shqipëria

“Të gjitha partitë po bëjnë lojë të pisët!”, VV e ashpër pas propozimeve të PS për Kodin Zgjedhor: Po deformojnë votën

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 21:13
Bojken Abazi

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka reaguar ashpër pas propozimit të PS për amendimet në Kodin Zgjedhor ditën e sotme.

Sipas Bojken Abazit kreut të VV në Tiranë, PS në bashkëpunim me ‘heshtjen’ e PD, LSI dhe Nismës po vendosin prag të dyfishtë në kombëtar dhe lokalë e cila sipas tij është e padëgjuar në botën ‘demokratike, me gjasë dhe në botën jodemokratike’.

Po sipas Abazit diskutimet mbi listat e hapura janë thjesht karremi për të shpërqendruar vëmendjen nga deformimi madhor që po i bëhet votës së qytetarit.

Reagimi i plotë:

I pamë sot propozimet e Partisë Socialiste për të sanksionuar një prag të dyfishtë në zgjedhjet e radhës – lokal dhe kombëtar. E ndanë njëherë Shqipërinë në 12 zona zgjedhore në vitin 2008, si salamandër, për të stabilizuar një sistem bipartiak, pavarësisht thellimit të ndarjeve rajonale që kjo shkakton dhe rritjes së ndikimit të “të fortëve” lokalë, që janë bërë të fortë me vjedhje e krime të lidhura me pushtetin. Por kjo nuk po i mjafton. Tani po duan ta zvogëlojnë edhe më shumë pasqyrimin e drejtë të votës qytetare në Kuvend, duke sanksionuar edhe pragun e dyfishtë me detyrim – e padëgjuar në botën demokratike, e me gjasë edhe në botën jodemokratike.

PS e propozoi dhe votoi pragun e dyfishtë, tani i vendosi edhe %, ndërsa:

* PD hesht, nuk e ka kundërshtuar kurrë

* LSI hesht, nuk e ka kundërshtuar kurrë

* Rudina Hajdari e votoi në kuvend pragun e dyfishtë dhe Nisma Thurje nuk e ka kundërshtuar kurrë publikisht.

Duke lënë mënjanë për një moment greminën e vjedhjes dhe blerjes së votës, nëse analizohet vetëm sistemi zgjedhor, atëherë shqetësimi për lista të hapura apo të mbyllura është qesharak përball deformimit madhor të vullnetit qytetar që po përgatitet përmes mirëmbajtjes së sistemit aktual proporcional rajonal dhe shtimit të pragut të dyfishtë.

Në këtë lojë të pisët që po bëhet, duhet thënë se listat e hapura janë si karremi për peshkun. Vetëm duke u çliruar nga kurthi i debatit mbi listat e hapura, kthjellohet truri për të parë më mirë atë që është duke ndodhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat