Gjiknuri: Te ODIHR shkohet me draft ligjor, opozita refuzoi ekspertizën për depolitizimin e administratës

Shqipëria

Gjiknuri: Te ODIHR shkohet me draft ligjor, opozita refuzoi ekspertizën për depolitizimin e administratës

Më: 19 shtator 2020 Në ora: 07:19
Damian Gjiknuri

Përfaqësuesi i Partisë Socialsite në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri deklaroi sot se ekspertiza e ODIHR nuk mund të kërkohet pa pasur një draft konkret.

“Këshilli Politik është aty për të trajtuar çështje dhe drafte konkrete dhe në mungesë të propozimit të PD, nisur nga mbledhja e fundit ku i kërkuam që të vinte me propozimet e saj sesi mund të adresoheshin ndryshimet kushtetuese, opozita vazhdoi me qëndrimin e saj abstrakt politik që është mosmarrja pjesë, kundërshtia dhe nxjerrja e një artifice proceduriale, për thirrjen e ekspertizës së ODIHR pa pasur një çështje konkrete në tavolinë”, tha Gjiknuri në një intervistë televizive.

“Duhet kuptuar që ODIHR ndërhyn vetëm kur ka një objekt konkret dhe ka drafte konkrete teknike ku ata  mund të japin opinion sesi qëndrojnë këto drafte në përputhje me standardet demokratike të ODIHR-it dhe OSBE-së. Nuk mund të shkohet tek ODIHR me çështje abstrakte. Me probleme politike. Aq më tepër që ndryshimet kushtetuese kanë diktuar ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe pasi ne të kemi një draft do të mund të kërkohej një ekspertizë e shpejtë, pasi nuk mund të humbim më kohë. Afatet zgjedhore kanë filluar, përgatitjet e zgjedhjeve duhet të fillojnë menjëherë. Në tetor zgjidhet dhe KQZ e re”, theksoi ai.

“Kështu që kërkesa e PD më shumë më duket një qasje politike obstruktive, për të krijuar një alibi që mazhoranca po i kryen e vetme”, tha ai.

I pyetur se pse mazhoranca nuk e merr në konsideratë kërkesën e PD, Gjiknuri tha se, “nuk është normale, si mund të merret në konsideratë”.

“E para njëherë, në marrëveshjen që kemi nënshkruar dhe nga gjithçka sesi kemi operuar më përpara, tek ODIHR shkohet me draft ligjor”, u shpreh Gjiknuri.

Gjiknuri tha se, “së pari, me opozitën nuk kemi pasur marrëveshje në lidhje me koalicionet. Koalicionet u hoqën nga Kushtetuta”.

“Përkundër asaj që u deklarua nga PD, ne i kemi përfshirë në draftin tonë koalicionet nëpërmjet një liste unike, ashtu siç e ka çdo vend tjetër demokratik që ka lista të hapura me sistem proporcional rajonal”, theksoi ai.

Së dyti, tha Gjiknuri, “PD-së nëse nuk i pëlqen drafti ynë të vijë me propozime konkrete ta përmirësojmë këtë draft përfshirë dhe pikëpamjen e tyre dhe nëse mund të mos kemi dakordësi mund të kërkojë ekspertizë të ODIHR-it. Po jo të kërkosh ekspertizë të ODIHR-it për një gjë që akoma nuk ekziston”.

“PD të mos vijë me kushte, por të vijë me propozime, sepse në tryezën ku kemi folur bashkë gjithnjë kemi ardhur me propozime. Madje në tryezat e kaluara, PD ka ardhur dhe me propozime. I kemi thënë që propozimet tuaja pasi i kemi diskutuar me njëri tjetrin t’i çojmë tek ODIHR për opinione. PD ka qenë kundër sidomos kur ishte çështja për depolitizimin e administratës, për çështjen e kuotave gjinore, nuk u përfill ekspertiza  e ODIHR. Madje u refuzua. Pasi tha PD nuk mund të ndërhyhet me ODIHR kur ka debate politike. Dhe realisht ODIHR nuk mund të ndërhyjë kur nuk ka një draft konkret. Nuk mund të interpretojë ODIHR Kushtetutën. Nuk mund të hyjë ODIHR në çështje kushtetuese”, theksoi Gjiknuri.

Sa i përket propozimit të mazhorancës, Gjiknuri u shpreh se, “ky propozim së pari adreson të gjitha kërkesat që kanë amendimet kushtetuese në Kushtetutën e Shqipërisë. Së pari përcakton pragjet zgjedhore kombëtare. Që do të thotë parti, subjekt, koalicion, përfiton mandatin kur ka marrë 3% të kuotave në shkallë kombëtare. Së dyti përcakton koalicionet zgjedhore, të cilat kanë të drejtë të garojnë edhe me parti të ndryshme të vendosura në një listë të caktuar, ku secila parti përfaqësohet me kandidatët e saj”.

Gjiknuri tha se, “PD nuk ka hallin e koalicioneve se koalicioni është një definicion i qartë siç është në çdo legjislacion europian. Ata kërkojnë thjesht taktikën elektorale që ka qenë në formulimin e vjetër përpara se të ndryshonte Kushtetuta dhe përpara se të hapeshin listat. Iku kjo ra. Sepse u hapën listat dhe partitë tashmë mund të garojnë vetëm me kandidatët  e tyre të grupuara në një koalicion”.

“Së treti kemi përcaktuar edhe faktin që zgjedhësi ka të drejtë dy vota, siç thotë dhe Kushtetuta, votë preferenciale. Një votë për partinë politike dhe një votë për individin, pra kandidatin që është në listën e partive politike. Dhe aty ka një mekanizëm. Renditjen e listës që paraqet partia e bën zgjedhësi nëpërmjet një votimi të caktuar, ku garantohet ruajtja e votës, pra një grua mund të zëvendësohet vetëm nga një grua kur arrin një masë të caktuar votash dhe hap mundësinë që edhe ata që janë në fund të listës nëse marrin një numër votash të caktuar që është një peshë mesatare elektorale, pasi ti kandidon me partinë time, me dividentin e forcës time, jo thjesht si një individ, ke mundësinë të rirendisësh veten dhe të marrësh mandat. Ky është një model që e kanë shumë vende europiane”, përfundoi Gjiknuri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat