Drama e refugjatëve, kalvari nga Afganistani drejt BE-së për një jetë më të mirë

Shqipëria

Drama e refugjatëve, kalvari nga Afganistani drejt BE-së për një jetë më të mirë

Më: 19 shtator 2020 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Vitet e fundit Shqipëria është kthyer në një vend tranzit sa i takon kalimit të emigrantëve të paligjshëm ku çdo ditë ndalohen dhjetëra refugjatë. Në Pogradec u ndalua ky grup prej 6 afganësh të cilët hynë në Shqipëri ilegalisht nga kufiri i gjelbër e tashmë duhet të kthehen pas.

Një emigrante e re tregon kalvarin e udhëtimit dhe dramën që përjetojnë me shpresën për një jetë më të mirë në një nga vendet e BE-së.

“Vijmë nga Greqia. Jemi nga Afganistani. Ne vijmë për një jetë më të mire. Unë jam e re, dua të shkollohem. Nuk dua ushqim, nuk dua para, dua shkollë. Nuk mund të më kuptoni. Është e vështirë. Policia na mori, por ne nuk jemi terroristë. Mami im është në Tiranë, unë jam me babin", tha ajo. 

Personat që i kishin premtuar kalimin përmes Shqipërisë u arrestuan nga policia e tashmë ëndrra e tyre u pre në mes.

“Kemi 8 ditë që udhëtojmë, do shkonim në Tiranë, në Shkodër dhe më pas në një vend tjetër", shtuan ata. 

Mbi një mijë refugjatë janë ndaluar nga policia dhe forcat e Frontex gjatë këtij viti ndërsa mbi 50 persona janë arrestuar për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat