Debati për listat, opozita brenda dhe jashtë parlamentit kundër propozimit të PS

Shqipëria

Debati për listat, opozita brenda dhe jashtë parlamentit kundër propozimit të PS

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 08:30
PS

Java që u mbyll e thelloi edhe më shumë mosmarrëveshjen në Këshillin Politik mes përfaqësuesve të mazhorances dhe opozitës jashtë dhe brenda parlamentit. Shkak u bë propozimi i PS për ndryshim të kodit zgjedhore për hapjen e listave dhe koalicionet.

Në propozimin e PS, neni 67, pika 4 thuhet se emrat në listën shumë emërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Çka nënkupton një listë preferenciale nga ana e kryetarit të PS, që dikton dhe shpërndarjen e mandateve në këtë renditje. Që të ndryshojë renditja, kandidati i renditur më poshtë duhet të marrë një numër të konsiderueshëm votash.

Shpërndarja e mandateve fillon me rirenditjen e kandidatëve në bazë të renditjes së tyre në listën e dorëzuar sipas nenit 67 të këtij kodi si dhe numrit të votës parapëlqyese të secilit kandidat bazuar në procedurat dhe kriteret vijuese.

Renditja e kandidatëve që përfitojnë mandat ndryshon nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi.

Në këtë mënyrë, mandatet do t’i përfitojnë kandidatët e parë në listë. Për t’u futur në këtë listë, një kandidat poshtë vijës fituese, do të duhet të marrë më shumë sesa votat që i janë dashur subjektit për çdo mandat. Kjo e bën thuajse të pamundur ndryshimin e renditjes së bërë nga kryetari i PS.

Një tjetër pikë e debatueshme është edhe pragu zgjedhor.

Fjalia e dytë e pikës 1 të nenit 162 ndryshohet si më poshtë: “Për zgjedhjet për Kuvendin, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë marrë më pak se 3 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi.”

Kjo sipas ekspertëve duke u nisur dhe nga zgjedhjet e fundit, favorizon direkt vetëm subjektet e mëdha politike. Një çështje tjetër e debatueshme është dhe heqja e koalicioneve në formën si kanë ekzistuar deri më sot në Shqipëri.  

Ky propozim i socialistëve është kundërshtuar nga PD e cila kërkon lista tërësisht të hapura. Sipas kryetarit te PD Lulzim Basha, lista e kandidateve duhet të jetë me rend alfabetik dhe renditja e fituesve të bëhet në bazë të votave që ata përfitojnë.

PD kundërshton edhe prekjen e marrëveshjes së 5 qershorit, ku koalicionit janë të përcaktuara në formën e tyre klasike që kane funksionuar në vendin tone. Por PD insiston që t’i merret mendim OSBE/ODIHR gjë që është refuzuar deri tani nga PS me argumentin se duhet të ketë një produkt fillimisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat