“Hileja e PS me hapjen e listave”, Soko: Deputet të zgjidhet kush merr më shumë vota

Shqipëria

“Hileja e PS me hapjen e listave”, Soko: Deputet të zgjidhet kush merr më shumë vota

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 10:16
Panajot Soko

Rudina Hajdari ka paraqitur në Këshillin Politik një formulë për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë. Sipas kësaj formule, parashikohet që lista e deputetëve të jetë 100% e hapur dhe renditja që do t’u bëjë kryetari kandidatëve, të mos jetë pengesë për të zgjedhur fituesit.

Konkretisht deputetja propozon se renditja përfundimtare e deputetëve do të dalë pasi të bëhet numërimi i votave ku deputetët që janë pëlqyer më shumë nga qytetarët, do të jenë ata që do të marrin mandatin e parlamentarit, pa u kushtëzuar nga renditja që bën kryetari i partisë duke hedhur poshtë klauzolën që kishin propozuar socialistët, se për të lëvizur listën e kryetarit të partisë, kandidati duhet të marrë më shumë se sa numri mesatar i votave në qarkun përkatës, që përllogaritet në mbi 10 mijë vota.

Panajot Soko, anëtar i “NISMA” gjatë një interviste për Euronews Albania thotë se, vetëm kështu do të mund të kemi përzgjedhje nga votuesit pasi në të kundërt do të kishte një garë të pandershme brenda partisë.

“Kush merr më shumë vota të dalë deputet, pa renditje të kryetarit dhe të parapëlqyer. Ky është sensi që t’u japësh të drejtë votuesve të zgjedhin dhe jo kryetari. Është me hile kjo gjëja. Me këtë formulë do të duhet një model politikani të tipit Vjosa Osmani që të kalojë listën e renditur sipas kryetarit. Një politikan i tillë si Osmani që merr kaq shumë vota, mund të superojë listën siç është propozuar nga PS””, tha Soko. 

“Propozimi i PS është për të mbajtur Kodin aktual Zgjedhor por e formuluar disi ndryshe. Është thjesht hapje liste për të lexuar se për të votuar dhe kush do të shkojë në Parlament do të jenë ata që ka renditur kryetari i partisë sipas propozimit të PS. Propozimi ynë që është që emrat në listë të renditen sipas alfabetit dhe ata që kanë marrë më shumë vota të marrin mandatin”, shto ai.

Anëtari i ‘NISMA’, foli gjithashtu dhe për nevojën e vendosjes së një pragu kombëtar në mënyrë që të pengohen individët ‘problematikë’ që arrijnë të fitojnë në zona të caktuara duke garuar me parti të vogla.

“Të gjithë këta individë, të fortët e zonave, e kanë treguar që fitojnë në zonat e tyre, ndaj duhet gjetur një mënyrë për të vendosur një prag kombëtar”, u shpreh Soko duke shtua se gjithashtu është përgjegjësi e drejtësisë për të penguar kandidimin e personave të inkriminuar.

I pyetur nëse ka nisur puna për regjistrimin e ‘NISMA’ si forcë politike, Soko u përgjigj duke thënë se përpjekjet kanë nisur por tashmë fokusi është tek diskutimet për listat e kandidatëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat