“O shoku lëvize makinën…”/ Vrau me thikë shpërndarësin e ujit, i riu tregon ngjarjen: Më pa shtrembër

Shqipëria

“O shoku lëvize makinën…”/ Vrau me thikë shpërndarësin e ujit, i riu tregon ngjarjen: Më pa shtrembër

Më: 21 shtator 2020 Në ora: 18:05
Arbër Kote dhe Idajet Dulla

Arbër Kote ishte 26-vjeçari i cili dyshohet se vrau ditën e shtunë 33-vjeçarin Idajet Dulla. Ai e qëlloi me thikë në zemër duke e lënë të vdekur dhe kjo ndodhi për shkak të një konflikti në lidhje me parkimin e makinës. Pas disa orësh të gjata negociatash Arbër Kote u arrestua. Kote është djali i ish-drejtorit të Burgut të Durrësit. Babai i tij mendohet të ketë qenë personi që bindi autorin të dorëzohej. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Plazhit, afër xhamisë me katër minare. Burimet bënë të ditur se 33-vjeçari u transportua me urgjencë drejtë Spitalit të Durrësit me shenja jete, por për shkak të gjakderdhjes dhe se mjeti prerës i kishte prekur zemrën, nuk mundi të mbijetonte.

Arbër Kote i është nënshtruar marrjes në pyetje nga ana e hetuesve të Policisë për disa orë. Teksa ka treguar “fije për pe” të gjithë dinamikën e ngjarjes nga momenti i përplasjes fizike, përdorimi i thikës e deri te bindja e tij për t’iu dorëzuar Policisë.

Ai thotë:

Pikë së pari dua të them se më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Gjithçka ndodhi papritur, shumë shpejt dhe në gjaknxehtësi e sipër. Pavarësisht se ndodhem në bankën e të akuzuarit, unë mbi të gjitha u vetëmbrojta, pasi ai më sulmoi i pari duke më qëlluar disa herë. E gjitha nisi për shkak se unë i kërkova që të lëvizte makinën, sepse e kishte parkuar shumë keq dhe nuk kisha mundësi të merrja kthesën me autobus. Nuk më priste puna, pasi punonjëset e fasonerisë kishin përfunduar orarin e punës dhe më prisnin mua që të shkoja t’i merrja dhe t’i ktheja në shtëpi. I rashë borisë dhe i thashë: ‘hap krahun mirë të kalojmë’. Ai më pa shtrembër. I them prapë: ‘O shoku lëvize makinën se ke bllokuar rrugën’. Prapë ai më injoroi. ‘Ore do ta lëvizësh makinën ti apo si e ke hallin’, i thashë. Ai u irritua, nisi të më shante dhe erdhi u afrua, më goditi disa herë me grushta. Unë se prisja dhe u hutova për një moment. Për t’u mbrojtur nxora thikën dhe desha ta largoja, por ai u afrua dhe thika e kapi në kraharor. Pastaj qytetarë të tjerë u morën me të, unë ika se më kapi paniku. Më vonë mora vesh se kishte ndërruar jetë. Jam penduar shumë, lejova që një konflikt banal të degjeneronte deri në këtë pikë.

Viktima Idajet Dulla, me orgjinë nga Kukësi, dhe prej disa vitesh banor i qytetit bregdetar, punonte si shofer i një kamionçine, me të cilën shpërndante ujë për llogari të një kompanie private. Dulla ishte babai i dy djemve, të cilët nuk nguronte t’i reklamonte në rrjetet sociale dhe të shprehte krenarinë për ta. Por pasditen e së shtunës Idajet Dulla u vra me thikë nga Arbër Kote, që tashmë është arrestuar nga Policia dhe akuzohet për akuzën e “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Në momentin e krimit, Dulla kishte parkuar makinën përballë një dyqani, ku po merrte bidonët e ujit. Veprim që u bë shkak fatal për këtë ngjarje të rëndë, e cila i mori jetën 33-vjeçarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat