Zv. ministrja e Arsimit: Kemi mësues në dispozicion për të zëvendësuar ata që karantinohen

Shqipëria

Zv. ministrja e Arsimit: Kemi mësues në dispozicion për të zëvendësuar ata që karantinohen

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 12:08
Nina Guga

Mësimi me orë të reduktuara dhe me turne ka bërë që shumë prindër të hasin vështirësi në përditshmërinë e tyre. Por vështirësi po hasin dhe vetë mësuesit dhe nxënësit.

Nina Guga, zv. ministre e Arsimit thotë se, në të gjitha shkollat zbatohet protokoll i rreptë për distancimit, higjienën dhe mbajtjen e maskës.

“Deri tani në të gjithë shkollat është zbatuar me përpikmëri ky protokoll. Është një bashkëpunim shumë i mirë dhe me prindërit”, u shpreh zv. ministrja.

Znj. Guga thotë se, deri tani janë shfaqur disa probleme minimale sa i takon infektimit të mësuesve dhe nxënësve me COVID-19.

“Kemi pasur raste dhe të infektimit të mësuesve në shkolla, shumë pak kemi infektime të nxënësve në shkolla”, tha zv. ministrja.

Ajo tregoi se deri tani nuk ka pasur në asnjë rast ndërprerje të procesit mësimor.

“Është një numër mësuesish në dispozicion që do të jenë të gatshëm për të plotësuar atë mungesë mësuesish që do të rezultojnë të karantinuar”, u shpreh znj. Guga.

Lidhur me ngarkesën e mësuesve  ajo tha se, “ky është një menaxhim i brendshëm i vetë shkollave që kanë përcaktuar oraret. Për orët suplementare ka një fond që do të zbatohet”.

Ndërsa për efikasitetin e mësimit me orë të shkurtuara, u shpreh se, ky opsion është më i mirë se sa mësimi online.

“Erdhëm pas eksperiencës së mësimit online, e cila nuk ishte mënyra më e mirë për të bërë mësim. Të gjitha sondazhet, ishte dëshira më e madhe që mësimi të vijonte në shkollë.

Në disa shkolla ku mësimi zhvillohet me turne, orët janë nga 30 minuta. Ndërsa në shumicën e shkollave jashtë Tiranës dhe Durrësit, mësimi është me 45 minuta.

Kjo është diçka më e mirë se sa mësimi online. Do të bëjmë sa është e mundur për të zgjatur skenarin e mësimit në shkolla. Dinamizmi i situatës së pandemisë pastaj do të na çojë në skenarë të tjerë”, përfundoi zv. ministrja e Arsimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat