Ambasadori gjerman takon kryetaren e KED: Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, kriter për negociatat me BE

Shqipëria

Ambasadori gjerman takon kryetaren e KED: Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, kriter për negociatat me BE

Më: 23 shtator 2020 Në ora: 12:10
Peter Zingraf

Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf zhvilloi një takim me zonjën Vitore Tusha, kryetaren aktuale të Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), në fokus të të cilit ishte ecuria e reformës në drejtësi dhe ngritja sa më shumë në nivel funksional e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

Z. Zingraf solli në vëmendje faktin se vendosjen në funksionalitet të plotë i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese është një kriter i rëndësishëm edhe për çështjen se kur do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për negociatat e pranimit në BE, ndërsa siguroi se Gjermania do të jetë në krah të Shqipërisë në këtë proces.

“Një Gjykatë Kushtetuese funksionale është e një rëndësie qendrore për demokracinë dhe besimin e shqiptareve dhe shqiptarëve në institucionet e tyre. KED-ja luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e pozicioneve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Unë jam mirënjohës për shpjegimet e zonjës Tusha në lidhje me punën e KED-së përgjatë verës, që prej marrjes së funksionit të saj si dhe për hapat e mëtejshëm.

Znj. Tusha solli në vëmendje rëndësinë e opinionit të Komisionit të Venecias për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Unë shpresoj se me plotësimin e vendeve të tjera të rivendoset mundësisht menjëherë funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese.

Ky është një kriter i rëndësishëm edhe për çështjen se kur do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për negociatat e pranimit në BE. Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë edhe më tej në fushën e reformës në drejtësi”, mësohet të jetë shprehur ambasadori i Gjermanisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat