Pedagogu në përgjim prej një muaji, avokati i tij fajëson sekserin: Atij ju gjetën paratë, ja pse ishin bashkë

Shqipëria

Pedagogu në përgjim prej një muaji, avokati i tij fajëson sekserin: Atij ju gjetën paratë, ja pse ishin bashkë

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 11:17
Alket Dino

Pedagogu i fakultetit të Shkencave  të Natyrës dhe atyre Humane në universitetin “Fan Noli”  të Korçës, Alket Dino, i arrestuar një ditë më parë për korrupsion, ishte vendosur në përgjim nga SPAK prej një muaji.

Një fakt të tillë e ka bërë me dije avokati i tij, Nevzat Tarelli.

“Pedagogu është mbajtur për një muaj në përgjim, kohë kur është regjistruar procedimi penal nga SPAK dhe dje është bërë arrestimi në flagrancë. Dino u arrestua mbrëmë për shkak të një hetimi të filluar nga SPAK”.

Avokati tregoi edhe si u zu në kuth sekseri Xhevi Dervishi me anë të një agjenti të infiltruar.

“Dje janë finalizuar kryerja e veprimeve simuluese nëpërmjet një agjenti të infiltruar. Bëhet fjalë për një student i cili ka pasur një provim të mbetur. Prokuroria  ka kryer veprime të simuluara me Xhevahir Dervishin nëpërmjet një agjenti të infiltruar. Në momentin e arrestimit Dino nuk ka pasur asnjë prej kartmomedhave që u përdorën për veprimin simulues. Një pjesë e lekëve janë gjetur te Dervishi, një pjesë nuk janë gjetur”.

Avokati thotë se klienti i tij Dino, është në pozita mohuese. Ai pranon takimin me Dervishin, por për shkaqe të tjera. Dorë në këtë çështje i jep dhe fakti se gjatë kontrollit atij nuk i janë gjetur kartmonedhat e kapura nga policia, 300 euro dhe 50 mijë lekë.

“Është e vërtetë që ka pasur kontakt me të arrestuarin tjetër, por takimi ka qenë për shkak të interesit të pedagogut për një shtëpi me qira, pasi Dervishi është pronar i një agjencie imobiliare. Alket Dino është  pozicionuar qartë qe nuk ka lidhje me rastin korruptiv që ka të bëjë me një student që pretendon që ka paguar për një provim me Alket Dinon 500 euro.Gjatë kontrollit fizik profesorit nuk i është gjetur asnjë kartmonedhë euro.Një pjese e eurove janë gjetur në portofolin e Xhevi Dervishit”.

Sipas avokatit të pedagogut, rezultatet e provimit janë mbyllur para një jave dhe nuk ka asnjë mundësi që pedagogu të ndërhynte në sistem për të ndryshuar notën.

Policia njoftoi sot se pedagogu së bashku me sekserin janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat