PS tërhiqet nga paketa anti-shpifje? Ferhati jep detajet: Do të bëhet sipas rekomandimeve

Shqipëria

PS tërhiqet nga paketa anti-shpifje? Ferhati jep detajet: Do të bëhet sipas rekomandimeve

Më: 24 shtator 2020 Në ora: 21:07
Klotilda Ferhati

Deputetja socialiste Klotilda Ferhati ka komentuar reagimet për “paketën anti-shpifje” e cila mbetet ende e pa-miratuar në Kuvend pasi është kundërshtuar nga shoqatat e gazetarëve dhe ndërkombëtarët.

Ajo tha se për shumë çështje që ka ligji Komisioni i Venecias ka dhënë vlerësime, “por disa çështje të paqarta duhen sqaruar”.

“Paketa anti-shpifje” është ligj që parashikon rregullime për portalet dhe nuk bën në thelb ndonjë gjë ndryshe se sa thjesht rregullon rregulla të veprimtarisë së këtyre subjekteve në bazë të disa parimeve që garantojnë edhe lirinë e mediave por edhe të të drejtave të njeriut siç janë e drejta për dinjitet,” – u shpreh Ferhati për Euro News.

“Është ngritur grup pune në Kuvend me përfaqësues nga komisioni i mediave dhe i ligjeve janë adresuar rekomandimet e Komisionit të Venecias në një draft pune, jo final, dhe në kuadër të bashkëpunimit me Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian në një program të përbashkët për ekspertizë për të drejtat e njeriut janë tre ekspertë që po punojnë me Kuvendin që këtij drafti t’i japin formës finale me 100 rekomandimet e Komisionit të Venecias,” – tregoi Ferhati duke shtuar se më pas do të ketë konsultime të gjera publike.

Përballë kritikave dhe komunitetit të gazetarëve që kanë kërkuar tërheqjen nga kjo paketë ligjore, deputetja Ferhati tha se “tërheqja nuk është opsion”.

“Tërheqja nuk është opsion, ligji është rregullator dhe nuk cenon fare çështje të ngritura si shqetësim dhe kërkohet tërheqja, nuk mund t’i vihen kushte Kuvendit... e vetmja gjë që ju garantoj është se ligji do të jetë në shinat e standardeve ndërkombëtare,” – këmbënguli Ferhati duke thënë se aktorët që janë kundër do të kishin bërë mirë të ishin pjesë e procesit dhe diskutimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat