Kamera e fshehtë: “Deri tani më ka shkuar 20 mijë euro”, autori i aksidentit me dy viktima tregon si e bleu lirinë

Shqipëria

Kamera e fshehtë: “Deri tani më ka shkuar 20 mijë euro”, autori i aksidentit me dy viktima tregon si e bleu lirinë

Më: 25 shtator 2020 Në ora: 06:34
Ritnalt Fetahaj

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një skandal në drejtësi, ku një i arrestuar pranoi me zë dhe figurë se ka paguar plot 20 mijë euro për t’u liruar nga burgu. Ritnalt Fetahaj u tha bashkëpunëtorëve të emisionit investigativ se ka paguar në polici, prokurori, por edhe ekspertët, me qëllim që të lirohej nga burgu. Ai u arrestua në janar të vitit 2019, pasi ishte shkaktari i një aksidenti të rëndë, me 2 viktima dhe 4 të plagosur rëndë. Pavarësisht pasojave të rënda, drejtësia e mbajti vetëm 3 muaj në burg, pasi siç thotë edhe vetë Fetahaj, “deri tani më ka vajtur 20 mijë euro”.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua Erjon Shahaj, i cili është djali i një prej viktimave të aksidentit të janarit 2019. Në këtë datë, në rrugën nacionale Levan – Tepelenë, në afërsi te fshatit Varibop, ndodhi pikërisht ky aksident. Fillimisht, në atë zonë, një automjet përplas një banor të zonës. Pasagjerët e makinës dalin për të ndihmuar të lënduarin. Në afërsi të vendit të ngjarjes ndalojnë edhe dhjetëra automjete të tjera, me drita ndezur, duke bërë një autokolonë. Mes makinave ishte edhe një autobus. Por, në këto momente, një automjet lëviz me shpejtësi në këtë zonë dhe parakalon të gjitha mjetet e ndaluara dhe aksidenton personat që po ndihmonin të lënduarin. Bilanci ishte tragjik, me dy të vdekur dhe 4 të plagosur rëndë, që lënguan për javë më radhë në spitalet shtetërore.

Denoncuesi thotë se, pas ngjarjes, autori Ritnalt Fetahaj, u arrestua në flagrancë, teksa në datën 10 janar 2019, Gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë arrest me burg. Disa javë më pas, Gjykata e Apelit Vlorë, ndryshoi këtë masë, duke vendosur “arrest shtëpie”, pas një raporti të disa ekspertëve, të cilët konkluduan se fajtor ishin viktimat. Apeli thotë në vendim se, nëse do ketë raporte të tjera, prokuroria mund të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë. “Prokuror në këtë çështje është Erind Reovica” thotë djali i viktimës. Hetimet vijuan dhe prokuroria kërkon kryerjen e një akti tjetër, ku ekspertët rrugorë dolën në konkluzionin se fajtor ishte pikërisht “Ritnalt Fetahaj”. Por, Prokuroria e Fierit nuk kërkoi në gjykatë ndryshimin e masës së sigurisë, duke vijuar ta hetojë me masën “arrest shtëpie”.

Djali i viktimës ka dyshime se të gjithë këto veprime janë bërë, pasi është paguar një ryshfet i majmë për njerëzit e drejtësisë. “Prandaj kam kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare, të faktoj këto dyshime. Unë ia lashë në dorë drejtësisë, por drejtësia nuk po vepron” thotë Erjoni.

Pas denoncimit, bashkëpunëtorët e emisionit “Fiks Fare” i kërkojnë takim autorit Ritnalt Fetahaj në qendër të qytetit të Fierit, pasi siç shprehet edhe denoncuesi ai lëviz lirshëm madje dhe punon. Sipas vendimeve, ai duhet të ishte me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Fiksi bisedon në një lokal, teksa i kërkojmë të na kryejë disa punime hidraulike, pasi Ritnalt Fetahajushtronte zanatin e hidraulikut. Pas vetëm disa çastesh, ai u tregon bashkëpunëtorëve të emisionit se është përfshirë në një aksident dhe për ta mbyllur dhe të hetohej në gjendje të lirë, deri tani kishte paguar plot 20 mijë euro. Në bisedë, ai pohon se më mirë është që çështja të mbyllet në polici, se po shkoj te prokurori, rritet. Ai thotë se ka paguar edhe ekspertet nga 1000 apo 1000 e ca euro.

Në bisedë, autori i tha bashkëpunëtorëve se po hetohet e gjykohet me masën arrest shtëpie. “Bëra 3 muaj në burg, më pas me masën arrest shtëpie. Tani jam me detyrim paraqitje” pohon ai. Pas kësaj bisede, gazetarët e Fiksit shkuan në Gjykatën e Fierit për të pyetur se me çfarë mase po gjykohet z.Fetahaj. Një punonjëse, pasi e verifikon, u thotë gazetarëve të Fiksit se “z.Fetahaj ka kërkuar revokimin e masës së sigurisë, por gjykata ia ka rrezuar në muajin shkurt 2020. Pas kësaj date, s’ka asnjë vendim. Është në fuqi masa ‘arrest shtëpie’” thotë punonjësja. Por, pavarësisht kësaj, autori i aksidentit me bilanc tragjik, e thyen këtë masë dhe qarkullon dhe punon i lirë në qytetin e Fierit.

***

Bisedë me autorin e aksidentit me 2 të vdekur dhe 4 të plagosur

Bashkëpunëtori 1 – Kam marrë një shtëpi këtu dhe dua t’i heq komplet instalimet.

Ritnalt Fetahaj- Po.

Bashkëpunëtori 1 – Dhe më thanë që punon hidraulik, a është apo s’është kështu?

Ritnalt Fetahaj – Po

Bashkëpunëtori 1 – Dua të dij sa afërsisht më shkojnë edhe ta lëmë ta bisedojmë…

Bashkëpunëtori 1 – Emrin si ta thonë?

Ritnalt Fetahaj – Nardi, Renald Fatahaj. Shiko kur të bëhesh gati edhe me prishjen merrem unë edhe me restaurimin merrem unë

Bashkëpunëtori 1 – Atëherë me të gjitha me prishjen , me restaurimin të gjitha i bën ti.

Ritnalt Fetahaj – I bëj unë, hidrauliket. Banjon komplet.

Bashkëpunëtori 2 – Duhet me ik se kanë kapur një shokun mbrëmë pijshëm me nja dy birra atje në Durrës… na kanë mërzit.

Bashkëpunëtori 1 – Na kanë mërzit me këto aksidentet jemi bë…

Bashkëpunëtori 2 – E kanë kap rrezik e rrasin brenda .

Ritnalt Fetahaj – Shiko mbylleni pa vazhduar më tutje, se unë jam i përfshirë në një aksident dhe po vuaj kam 2 vjet

Bashkëpunëtori 1 – Ça thua ti?

Ritnalt Fetahaj – Ja me shofer s’kam unë as makinë, asgjë.

Bashkëpunëtori 1 – S’e ke mbyll?

Ritnalt Fetahaj – Jo

Bashkëpunëtori 1 – Uaaa sa ke paguar prokurorë, për budalliqe.

Ritnalt Fetahaj – Më shkrinë më shkrinë. E kam një në datën 1, e kam një gjyq tjetër.

Bashkëpunëtori 1 – Të morën shumë për këto?

Ritnalt Fetahaj – Deri tani më ka vajtur 20 mijë euro.

Bashk – Prokurorët e këta …

Ritnalt Fetahaj – (pohon me kokë) Jepu lekët pa vajtur deri atje puna. Mbylle në polici biles.

Bashkëpunëtori 1 – I ke dhënë dhe policisë?

Ritnalt Fetahaj – Po, po, po, po vajti deri tek prokurori është tjetër pastaj, se penalitetet këto nuk mbyllen kollaj në Shqipëri.

Bashkëpunëtori 1 – Ti e pate mbyll në polici? E hanë?

Ritnalt Fetahaj – Atje e hanë ata, hanë.

Bashkëpunëtori 1 – Me ia dhënë ekspertit

Ritnalt Fetahaj – Eksperti, ai që kanë marrë atje , ai që bën letrat po tani sa është shpejt

Bashkëpunëtori 1 – Sa të mori eksperti?

Ritnalt Fetahaj – Mua më këputën ata po 1000- 1000 e ca euro do t’i paguani s’keni çfarë të bëni

Ritnalt Fetahaj – Po kështu ndodh gjitha andej o vlla. Unë s’kam mbyllur gjë vajta në burg për vete.

Bashkëpunëtori 1 – Sa bëre?

Ritnalt Fetahaj – Unë bëra 3 muaj burg. Bëra burgun mezi dola me probleme, me detyrim paraqitje, me arrest shtëpie një vit e gjysëm.

Bashkëpunëtori 1 – Të kanë nxjerr me arrest shtëpie prapë?

Ritnalt Fetahaj – Jo tani e kam kthyer arrestin e shtëpisë, vete njëherë në javë paraqitem. Më telendisën, më shkrinë.

Bisedë në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier

Gazetari- Na duhet vetëm për një emër me çfarë mase sigurie po gjykohet ky person dhe a ka ndonjë vendim tjetër për këtë person, Ritnald Fetahaj?

Punonjësja e gjykatës – Është një kërkesë për revokim mase në datën 20 shkurt 2019, por që i është rrëzuar në datën 22 shkurt. Tani është duke u gjykuar për themel. Vetëm n.q.se ia ka ndryshuar Apeli, se këtu përveç masës së parë, nuk ka masë tjetër.

Gazetari- Apeli ka vendosur arrest shtëpie

Punonjësja e Gjykatës – Atëherë është duke u gjykuar me këtë.

Gazetari- Arrest shtëpie?

Punonjësja e Gjykatës – E ka ndryshuar Apeli.

Gazetari – Pas kësaj, kjo është e datës 3 prill 2019?

Punonjësja e Gjykatës – Pas kësaj nuk ka, vetëm gjykimi me vendimin që është me arrest shtëpie.

Gazetari- Arrest shtëpie. Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat